Kush është Saimir Shkambaj, “timonieri” i ri i Komisariatit të Sarandës
Pas drejtimit të Komisariatit të Tropojës, kryekomisar Saimir Shkambaj transferohet në Sarandë, ndërsa Feliks Hoda largohet nga qyteti bregdetar dhe emërohet në krye të Komisariatit të Dibrës.
Ndryshime në drejtimin e komisariateve të Policisë së Shtetit janë vendosur këtë të mërkurë, ku një prej lëvizjeve kryesore lidhet me Sarandën.
Saimir Shkambaj, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Tropojë, është emëruar në krye të Komisariatit të Sarandës me urdhër të drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Shkambaj pritet të marrë menjëherë detyrën e re në qytetin bregdetar.
Në të njëjtën kohë, drejtuesi aktual i Komisariatit të Sarandës, komisar Feliks Hoda, është transferuar në Dibër. Hoda është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Dibër.
Kush është drejtuesi i ri i Sarandës?
Saimir Shkambaj ka një karrierë disa-vjeçare në Policinë e Shtetit dhe ka mbajtur më herët edhe funksione të tjera drejtuese.
Përpara detyrës në Tropojë, ai ka shërbyer si Shef Seksioni i Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Përvoja në strukturat operacionale dhe në poste drejtuese është një prej elementëve që shoqëron emërimin e tij në Sarandë, ku situata kriminale ka qenë një prej shqetësimeve kryesore gjatë periudhës së fundit.
Saranda, në fokus pas ngjarjeve kriminale
Ndryshimi në krye të komisariatit vjen pas një serie ngjarjesh të rënda të regjistruara në Sarandë gjatë vitit të fundit.
Qyteti është përballur me atentate me pasoja fatale, shpërthime me tritol dhe raste të gjobëvënies, duke e vendosur Sarandën në fokus të strukturave ligjzbatuese.
Në këtë situatë, drejtimi i ri i Komisariatit pritet të përballet me detyrën për forcimin e reagimit të Policisë dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në zonë.
Çështja e sigurisë në Sarandë është ngritur edhe në nivel institucional. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit nga 12 qarqet e vendit, ka kërkuar ndryshime në zinxhirin komandues në Sarandë.
Në të njëjtin takim është kërkuar edhe ngritja e një TaskForce të posaçme, e cila do të fokusohet në hetimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura në qytetin bregdetar.
Emërimi i Shkambajt në Sarandë vjen në këtë kuadër, ndërsa pritet që ai të nisë menjëherë ushtrimin e funksioneve në detyrën e re.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



