Berisha “flirton” me Flamingot në prag të zgjedhjeve lokale
Nga Korça, kreu i PD-së bëri thirrjen e parë publike për bashkëpunim me protestuesit që prej 125 ditësh qëndrojnë në bulevard. Berisha shprehu gjithashtu mbështetjen për zhvillimin e zgjedhjeve vendore me dy raunde, që kryebashkiaku të zgjidhet me shumicë absolute votash.
Me zgjedhjet vendore të vitit 2027 në horizont, Sali Berisha po kërkon të zgjerojë bashkëpunimin brenda opozitës, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e protestës që prej 125 ditësh vijon të zhvillohet në bulevard.
Gjatë një takimi në Korçë, kryetari i Partisë Demokratike bëri ftesën e parë publike për protestuesit, duke deklaruar se opozita është e hapur të marrë në konsideratë propozimet e tyre për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“Si parti, ne po përpiqemi të krijojmë një front të gjerë opozitar dhe do të pranojmë propozimet për kandidatë. Unë ftoj dhe përfaqësuesit e protestës, jemi të gatshëm të marrim parasysh çdo propozim të tyre”, deklaroi Berisha.
Berisha mbështet zgjedhjet me dy raunde
Kreu i demokratëve hodhi gjithashtu idenë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore me dy raunde, në mënyrë që drejtuesit e bashkive të marrin mbështetjen e shumicës absolute të votuesve.
“Jam dakord për balotazhin për zgjedhjet lokale. Ai që do të zgjidhet duhet të marrë shumicën absolute të zgjedhësve”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, për ditën e shtunë ai ka thirrur në një takim aleatët tradicionalë të opozitës, me qëllim nisjen e diskutimeve për bashkëpunimin dhe koordinimin në funksion të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



