E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Misteri i Ines Hajrullës në Vlorë, familjarët dhe policia në heshtje
Lajme

Misteri i Ines Hajrullës në Vlorë, familjarët dhe policia në heshtje

Mblidhen kamerat e sigurisë

Detaje të reja po dalin lidhur me zhdukjen e dyshuar të Ines Hajrullës, i njohur edhe si Inez Hajrulla, në Vlorë, ku dyshohet se ai është marrë peng së bashku me një vajzë. Deri më tani, rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta, ndërsa nuk ka një informacion të saktë mbi vendndodhjen e tyre.

Sipas informacioneve që ka siguruar Publik.al, persona nga rrethi shoqëror dhe grupi i lidhur me Hajrullën kanë nisur të mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Paralelisht, edhe Policia ka nisur verifikimet e saj dhe po mbledh pamje filmike nga qyteti i Vlorës, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet dhe për të sqaruar rrethanat e zhdukjes.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është fakti se, sipas informacioneve të deritanishme, familja e Hajrullës dhe familja e vajzës që dyshohet se ishte me të nuk kanë bërë ende denoncim në polici. Mungesa e një denoncimi nga familjarët, megjithatë, nuk përjashton mundësinë që autoritetet të kryejnë verifikime kryesisht.

Vlorë, paqartësi dhe tensione mes grupeve rivale

Situata në Vlorë mbetet e paqartë, ndërsa rasti pritet të sjellë zhvillime të tjera, si në drejtim të hetimeve policore, ashtu edhe në raportet mes grupeve rivale.

Dyshimet për një pengmarrje të mundshme kanë rikthyer vëmendjen te konfliktet dhe interesat që ndërthuren në qytet, ku në lojë përmenden çështje që lidhen me lojërat e fatit, territoret dhe pronat. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka konfirmim zyrtar që këto interesa apo ndonjë grup rival të kenë lidhje me zhdukjen e dyshuar të Hajrullës.

Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një rrëmbim të mirëfilltë, për një konflikt mes personash apo për rrethana të tjera që mund të shpjegojnë humbjen e kontakteve me të. Po kështu, nuk ka të dhëna të konfirmuara për fatin e vajzës që dyshohet se ndodhej me të.

Mister për vendndodhjen e Ines Hajrullës

Deri tani, informacionet e mbledhura nuk kanë mundësuar përcaktimin e vendndodhjes së Hajrullës. Verifikimi i kamerave të sigurisë pritet të jetë një nga elementet që mund të ndihmojë në sqarimin e lëvizjeve të tij para humbjes së kontakteve.

Hajrulla është shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK-ut të zhvilluar në mars 2026 në Vlorë, në kuadër të një hetimi ndaj një grupi të dyshuar kriminal. Ai nuk u kap gjatë operacionit, ndërsa emri i tij është përmendur ndër vite edhe në lidhje me atentate të mbetura në tentativë.

Deri në publikimin e këtij raportimi, rrethanat e zhdukjes së dyshuar dhe vendndodhja e Hajrullës e vajzës mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht. Publik.al do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe verifikimet lidhur me këtë ngjarje.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.