Adriatik Kupi jep dorëheqjen pas 7 muajsh në krye të Burgjeve
Adriatik Kupi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pas shtatë muajsh në këtë detyrë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kupi, përmes një deklarate ku ka shpjeguar arsyetimin e largimit dhe punën e kryer gjatë periudhës në krye të sistemit penitenciar.
Në mesazhin e tij, Kupi e cilëson këtë periudhë si të vështirë, duke theksuar se përballja me problematika që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe marrja e vendimeve të vështira kanë qenë pjesë e përgjegjësive të tij të përditshme.
Ai shprehet se gjatë shtatë muajve është përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit të burgjeve, me synimin për të rritur përgjegjshmërinë e punonjësve, profesionalizmin dhe standardet e trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Kupi ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të të drejtave të të dënuarve, transparencës dhe krijimit të mundësive për rehabilitimin e tyre, duke i konsideruar këto elemente thelbësore për funksionimin e një sistemi penitenciar modern.
Në deklaratën e largimit, ai është ndalur edhe te kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë ushtrimit të detyrës. Pa dhënë detaje konkrete për pengesat që përmend, Kupi thotë se është përpjekur t’i dëgjojë kritikat dhe të vijojë punën përballë vështirësive.
“Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot”, shprehet ai, duke lënë të hapur interpretimin mbi problematikat me të cilat është përballur gjatë drejtimit të institucionit.
Në përfundim, Kupi ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, ministrin Toni Gogu, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe bashkëpunëtorët e tij për mbështetjen gjatë kësaj periudhe.
Ai shprehet se largohet me respekt për përgjegjësinë që i është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë për ndërtimin e një sistemi burgjesh më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



