Protestuesit i vënë flakën Komisariatit Nr. 2, digjet makina e policisë
Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestat e kësaj të mërkure janë shoqëruar me incidente të rënda në disa zona të Tiranës.
Godina e Komisariatit Nr. 2 është kthyer në objekt sulmi gjatë tubimit, ku janë raportuar flakë zjarri në ambientet e saj. Paralelisht, edhe një automjet i Policisë së Shtetit është përfshirë nga flakët pasi i është vënë zjarri.
Ngjarja përbën një tjetër përshkallëzim të situatës, pas incidenteve të regjistruara gjatë orëve të fundit në kryeqytet, ku janë dëmtuar institucione shtetërore, automjete dhe biznese private.
Më herët, protestuesit u kanë vënë flakën edhe tre automjeteve të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, në Rrugën e Durrësit janë regjistruar zjarre dhe dëmtime në disa ambiente tregtare.
Përplasjet, 14 efektivë policie të plagosur
Incidenti në Komisariatin Nr. 2 vjen në një moment kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit kanë shkaktuar edhe të plagosur në radhët e policisë.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, bëri të ditur më herët se nëntë efektivë ishin paraqitur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës. Njëri prej tyre, 31 vjeç, kishte pësuar dëmtime serioze në sy dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë.
Në një njoftim të mëvonshëm, Policia e Shtetit raportoi se numri i efektivëve të plagosur kishte arritur në 14, ndërsa 35 persona ishin shoqëruar për incidentet e regjistruara gjatë protestës.
Deri në këto momente, nuk ka një informacion zyrtar mbi shkallën e dëmeve në godinën e Komisariatit Nr. 2 dhe automjetin e djegur, apo nëse sulmi ka shkaktuar të lënduar të tjerë.
Ndërsa tensionet vijojnë, situata në terren mbetet dinamike dhe priten informacione të mëtejshme nga autoritetet për zhvillimet në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



