E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Jam i traumatizuar”, i riu rrëfen tmerrin pas shembjes në asfalt nga polici
Lajme

“Jam i traumatizuar”, i riu rrëfen tmerrin pas shembjes në asfalt nga polici

Muhamet Skana, 21-vjeçari që u përplas me forcë në asfalt nga një efektiv policie gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes, duke rrëfyer gjendjen e tij fizike dhe psikologjike.

I riu ndodhet në Spitalin e Traumës, ku po merr kujdes mjekësor pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në Tiranë. Në dëshminë e tij, Skana tregon se ka vështirësi të kujtojë momentet e ngjarjes dhe se pamjet filmike të përplasjes, të cilat i ka parë më pas, i kanë shtuar ankthin dhe ndjesinë e traumës.

“Shpresoj që s’kam gjë. Më dhimbte shumë. Isha i trullosur, nuk mbaj mend, vetëm jam larguar të mos më kapnin, se nuk po dija më çfarë të bëja. Nuk më kujtohet asgjë fare. Nuk e mbaj mend çfarë ka ndodhur aty fare”, rrëfen 21-vjeçari.

Ai thotë se pamjet ku shihet momenti kur goditet dhe përplaset në tokë e kanë rënduar edhe më shumë emocionalisht.

“E kam parë tani atë videon e momentit që më goditën, por më shkakton më shumë ankth. Ndihem edhe më shumë i traumatizuar kur shoh veten në atë gjendje”, shprehet Skana.

Përveç gjendjes psikologjike, i riu përshkruan edhe dhimbjet fizike që po përjeton, duke përmendur shpinën, kokën dhe gjymtyrët.

“Më dhemb pjesa e kurrizit, nuk di ta shpjegoj çfarë kam, më dhemb në fund të shpinës fort, edhe koka, edhe këmbët, krahët, nuk e di më ku më dhemb”, deklaron ai nga Spitali i Traumës.

E motra rrëfen shoqërimin në komisariat: Ambulancën e kërkuam ne

Pas ngjarjes ka reaguar edhe familja e 21-vjeçarit. E motra e tij ka treguar se, pas incidentit gjatë protestës, Muhamet Skana është dërguar në komisariat, ku sipas saj është mbajtur për rreth tri orë përpara se të merrte ndihmë mjekësore.

Ajo pretendon se ambulanca është kërkuar nga familjarët dhe se efektivët e policisë kanë qëndruar pranë të riut edhe pasi ai është dërguar në spital.

“E kanë çuar në komisariat, e kanë mbajtur për 3 orë. Dhe ambulanca ka ardhur në komisariat. E kemi kërkuar ne ambulancën që ka ardhur në komisariat. E kanë mbajtur në komisariat, edhe këtu e kanë shoqëruar me policë, ishin policët deri në orën 8-9 derisa hoqën dorë”, rrëfen e motra.

Ajo shprehu lehtësimin që i riu ka mbijetuar ngjarjes, duke thënë se familja ka përjetuar momente të vështira dhe pasiguri për gjendjen e tij.

“Fat që nuk ka pasur dëmtim tjetër, se për 3 orë që e kanë mbajtur në komisariat mund të kishte mbetur atje. Ka qenë mrekulli, e ka ruajtur Zoti”, përfundoi ajo.

Ngjarja ndodhi gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit, ku pamjet e përplasjes së 21-vjeçarit në asfalt nga një efektiv policie shkaktuan reagime të shumta. Ndërsa Skana vijon të marrë trajtim mjekësor, dëshmia e tij dhe pretendimet e familjes rikthejnë vëmendjen te mënyra e ndërhyrjes së policisë dhe rrethanat e shoqërimit të të riut në komisariat.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.