E shtunë, 24 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Administrata nuk është kompani private e Edi Ramës
Lajme

Administrata nuk është kompani private e Edi Ramës

Publikuar nga Ergis Noka

DORËHIQUNI TË GJITHË, T’U VLERËSOJ PERFORMANCËN!

Ka diçka gjeniale në marrëzinë administrative që u kërkon 134 drejtorëve të institucioneve shtetërore të japin dorëheqjen, sepse Kryeministri ka vendosur të vlerësojë performancën e tyre!

Kjo është padyshim një metodë revolucionare menaxhimi. Aq revolucionare, sa jo vetëm nuk gjendet në asnjë në manualet e BE -së , por nuk e di nëse duhet të trajtohet si rast studimi në degët e administrimit publik apo në ato të psikiatrisë.

Në administratën publike, “vlerësimi i performancës është një proces që i paraprin vendimit për largimin nga detyra, por në Shqipëri e kemi kthyer në një ceremoni që organizohet pas dorëheqjes. Performanca matet kundrejt objektivave të përcaktuara, treguesve të matshëm, rezultateve të arritura dhe përgjegjësive individuale. Nëse nuk janë arritur rezultatet, drejtori shkarkohet , pa u lodhur fare ti kërkosh dorëheqjen !

Nëse të gjithë drejtuesit duhet të dorëhiqen për t’u vlerësuar, ka arsye të forta për të arritur në përfundimin se qeveria deri tani nuk ka informacion mbi performancën e drejtuesve të saj , edhe ky është dështim thelbësor i kapacitetit të saj qeverisës.

Por absurdi administrativ nuk përfundon këtu.
Administrata publike nuk mund të trajtohet si kompani private ku pronari mund t’u kërkojë të gjithëve të lirojnë zyrat për të vendosur më pas kë dëshiron të mbajë. Administrata publike funksionon mbi parimet e meritës, profesionalizmit, vazhdimësisë institucionale dhe përgjegjësisë së individualizuar.
Sigurisht, jo të gjithë drejtuesit gëzojnë të njëjtin status ligjor, edhe pikërisht për këtë arsye, një procedurë uniforme dorëheqjeje ngre edhe më shumë pikëpyetje administrative mbi këtë akrobaci politike .

Problemi në këtë rast nuk është vetëm përmbysja e rendit logjik të vlerësimit. Është zëvendësimi i një sistemi institucional, që duhet të dijë vazhdimisht kush punon mirë dhe kush jo, me vullnetin e një individi që vendos papritur t’i marrë të gjithë në PROVIM, por pasi ata të jenë dorëhequr me dëshirë !

Ndoshta është një metodologji e re për të justifikuar nevojën që “Lideri i Pazëvendësueshëm” të rri në pushtet .
Ndërsa ju deshën trembëdhjetë vite qeverisjeje, për të zbuluar kush punon në shtetin që drejton, për të zbuluar kush mban përgjegjësi, patjetër do t’i duhen edhe trembëdhjetë të tjera!

🤔🤔🤔🤔🤔🤔

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.