E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Demokracia e budallenjve: si e mban Rama pushtetin me votën e të nënshtruarve
OP-ED

Demokracia e budallenjve: si e mban Rama pushtetin me votën e të nënshtruarve

Nga Naim Noka/ Dy budallenj vlejnë më shumë se një i mençur në demokraci. Rama, kasta e politikës dhe mediat nuk hoqën dorë nga shpëlarja e trurit të kësaj pak shoqërie që ka ngelur. Arsimi u rrënua aq shumë sa sot të rinjtë e mbarojnë shkollën sepse u duhet një copë letër. Në fakt, kjo copë letër të fut në punë vetëm nëse je patronazhist i Ramës ose ke ndonjë lidhje fare e fisi në administratë.

Pensionistët janë eksperimenti më i suksesshëm i Ramës. Që kur të rinjtë studentë ikën nga vendi në vitet ’90, i mbajtën me hir ose pa hir familjet e tyre me remitancat nga jashtë. Sot ky brez po i afrohet pensionit. Për shembull, Edi Rama është 62 vjeç dhe pas 5 vitesh del në pension. Ndërkohë, moshatarët e Berishës, që janë thuajse pjesa më e madhe e brezit të pensionistëve, janë hambari i votave të Ramës.

Paradoksi është se edhe sikur t’i lësh pa bukë, pa ujë dhe pa shërbime, edhe sikur t’u rritësh taksat dhe naftën, ata mendojnë dhe besojnë se Edi Rama është më i miri, madje se Zoti e ka sjellë si me porosi për ta drejtuar këtë vend dhe për ta futur në Europë.

Praktikisht, vota e tyre është e barabartë me votën e studentëve, të shtresës së mesme dhe të neomalësores në Vaun e Dejës. Madje, teorikisht, vota e çobanit është e barabartë me atë të Pëllumb Saliarit, apo vota e një banori nga Kurveleshi është e barabartë me atë të Ergys Agasit. Por ndryshimi është se Agasi qarkulloi miliona euro me disa shokë, ndërsa banori nga Kurveleshi gëzimin më të madh e ka kur e viziton shoku i Gysit, kryeministri Rama. Aq i duhet që ta votojë “komandantin” sa të ketë frymë.

Fasha e administratës 180-mijëshe e ka siguruar mbijetesën. As nuk mbjell, as nuk korr, por merr rrogën në datë fikse dhe, që kur zgjohet në mëngjes, e ka mendjen si mund t’i shtojë diçka rrogës me stilin KÇK-ist. Janë të detyruar të rekrutohen dhe përdoren sipas oreksit të drejtorëve, ndërsa skllavërimi politik është detyrim dhe kusht për të mbajtur vendin e mbijetesës. Nuk ka ndryshim nëse flasim për arsimtarët, për policët, për mjekët apo për administratën e bashkive. Të vetëpunësuarit me biznes të vogël janë të detyruar të binden, sepse nuk ua dalin dot taksidarëve dhe KÇK-istëve. Një pjesë shumë e madhe e firmave janë konsumatore të tenderimeve nga buxheti i shtetit. Në 5 vitet e fundit, leku i drogës dhe ai i vjedhjeve është futur në beton. Këtu vetëm hidhet beton dhe hapen gropa.

Harrova të përmend ushtrinë e Ermal Raketës. Ca ushtarë e kapterë me grada letre, që marrin rrogë si policët, ndërsa pasurohen Ron Yeffeti dhe Arjeta Puca duke shitur makinat Toyota nga Turqia.

Ndërkohë, në kampin tjetër është doktori i superpërtërirë, që është gogoli i moshatarëve të tij dhe idhulli i një pjese demokratësh, të cilët besojnë se është burrë shteti që ka lindur për të qenë shpëtimi i demokracisë opozitare dhe për ta mbajtur sa të ketë frymë vendin e kryetarit të PD-së. Pastaj të del Agron Shehaj, që thotë në rrjetet e tij se vetëm ai mund ta shpëtojë këtë vend, i vetëm, me Erald Kaprin dhe mbështetësit e tij. Pastaj është Arlind Qorri, që mund të jetë shpëtimtari i këtij vendi. Pastaj Tiku, që rri e pret Godonë në karrige, i vetëm. Pastaj Toma, që i shënon gol Ramës sa herë e zë ngushtë këtë të fundit. Pastaj protestuesit dhe pjesa gri derdhen në protesta. Pastaj të rinjtë dhe studentët, pas tyre pedagogët, dhe pastaj valon dajaku.

Dhe pastaj, ç’më duhet mua të dal? Jam mirë. Kam lekë për kafe e cigare, vegjetoj. Ha bukë dhe rri e pres çfarë do të na sjellë Zoti nga lart.

Dy budallenj kanë më shumë vlerë se një profesor, pastaj bëhen qindra budallenj, më shumë se dy të lexuar, pastaj në projeksion kupton se janë shumë ata që Rama i manipulon me hir ose pa hir. Pastaj hyjnë në lojë buka e gojës dhe kërbaçi, mbijetesa, bandat, sekserët e tenderëve, lejet e ndërtimit, ligjet që ndryshojnë përditë, ndërkohë koha ikën.

Sara Mile, që ishte 8 vjeç kur filloi procesi i legalizimit, sot bën propagandë po me legalizimin dhe si deputetja më e votuar me suportin e  bandave. Zegjineja ka votë të barabartë me kryeministrin në Kuvend. Na përfaqëson nëpër botë në konferenca të inteligjencës artificiale.

Pastaj harrova të them se vota e gjykatësve dhe e prokurorëve është e barabartë me votën e të burgosurve dhe të punonjësve të burgjeve. E barabartë me qindra mijëra paditës që janë ende në gjykim prej 15 vitesh në Apelin e Tiranës. E barabartë me qindra ish-pronarë që nuk e marrin dot pronën.

Pastaj, në fund, vjen pjesa që i ka bërë dëmin më të madh këtij vendi: media dhe gazetarët. Kush për mbijetesë, kush për biznes, e katandisën atë pak pushtet në kashtë e koqe. U bënë palë me të keqen e këtij vendi, me autokratët dhe egërsirat e etura për pushtet. Shikoni median sot, shikoni Bankën e Shqipërisë, shikoni postet e pushtetit dhe institucionet gjoja të pavarura, dhe pastaj kërkoni shpjegimin te vota e dy kryetarëve që përcaktojnë listën se cilët nga servilët dhe manallët do ta drejtojnë këtë vend.

Dy budallenj janë më të vlefshëm në demokraci se një i mençur. Edhe sot, në këtë fund tetori, më i “zgjuari” vendosi për budallenjtë copat e letrës mbi varrin  tavolinë me cepa para zyrës së tij. Bëri videon, para se ta bënte share për tellallët e medias, shkarkoi një përrmjerrje në banjën e zyrës dhe u nis për në Rinas, sepse atje e pret avioni charter për fluturim. Ndërsa doktorri i PD-së do të futet live në Instagram për të shembur narkoshtetin

Të shtunë të mbarë dhe amanet mushkat e analistëve!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.