Me molotovë e fishekzjarre, sheshi “Skënderbej” kthehet në “arenë lufte”
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, ku situata është tensionuar pas hedhjes së fishekzjarreve në drejtim të efektivëve. Gjatë incidenteve, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Sipas raportimeve nga terreni, protestuesit kanë hedhur fishekzjarre drejt forcave të rendit, ndërsa janë raportuar edhe përdorime të bombave molotov. Një pjesë e protestuesve vijon të qëndrojë në zonë, pavarësisht ndërhyrjes së policisë.
Efektivë të përfshirë nga flakët pranë selisë së PS-së
Më herët, incidente të rënda u regjistruan pranë selisë së Partisë Socialiste, ku disa punonjës policie u përfshinë nga flakët pas hedhjes së molotovëve. Për njërin prej tyre dyshohet se lëndimet janë më serioze, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për gjendjen e tij shëndetësore.
Tensione janë raportuar edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët përreth. Gjatë zhvillimeve të ditës, protestuesit janë shpërndarë në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Parkun Rinia, rrugën “Myslym Shyri”, zonën e “21 Dhjetorit” dhe ambientet pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në këto zona janë raportuar kosha mbeturinash të djegur, bllokime të qarkullimit dhe incidente me zjarr.
Tetë të lënduar sipas bilancit paraprak
Protesta kombëtare nisi në orën 14:00, pas disa ditësh mobilizimi studentor dhe qytetar. Tubimi, i përqendruar fillimisht përpara Kryeministrisë, u shtri më pas në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Sipas bilancit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë deri në orën 16:30, tetë persona kishin marrë trajtim mjekësor pas protestës: një deputet, dy përfaqësues të medias, një efektiv policie dhe katër protestues. Gjashtë prej tyre u trajtuan në QSUT dhe dy në Spitalin Universitar të Traumës.
Ministria njoftoi se deputeti, përfaqësuesja e medias dhe katër protestuesit e trajtuar në QSUT e kishin lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa gjendja e dy personave të paraqitur në Traumë raportohej e qëndrueshme.
Për momentin, nuk ka një bilanc përfundimtar për numrin e të lënduarve apo personave të shoqëruar nga policia. Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa zhvillimet në terren mbeten dinamike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



