E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpërthen përplasja në Policinë e Tiranës, inspektorët kërcënohen me masa disiplinore
Lajme

Shpërthen përplasja në Policinë e Tiranës, inspektorët kërcënohen me masa disiplinore

Nuk raportuat organizatorët dhe financuesit e protestave

Një dokument disiplinor, që u është drejtuar punonjësve të policisë, evidenton mungesën e informacionit për identifikimin e personave të përfshirë në protestat e zhvilluara nga 13 deri më 25 tetor 2026.

Në dokument thuhet se, përgjatë kësaj periudhe, punonjësit e policisë nuk kanë raportuar për personat e dyshuar për akte të dhunshme që banonin në territorin e komisariateve përkatëse. Po ashtu, sipas shkresës, ata nuk kanë identifikuar persona që ishin shfaqur në fotografi të publikuara gjatë protestave.

Një nga pikat e dokumentit lidhet me një takim të zhvilluar më 17 tetor, në orën 23:50, mes drejtuesve të komisariatit dhe punonjësve të shërbimit të zonës. Në këtë takim, sipas shkresës, inspektorëve u ishte kërkuar të siguronin të dhëna për organizatorët e protestave, veçanërisht për tifozë të skuadrave të Partizanit dhe Tiranës, si dhe për personat që dyshohet se i financojnë ato.

Eprorët pretendojnë se detyrat e lëna në atë takim nuk janë përmbushur dhe se për rreth 12 ditë nuk janë hartuar as formularët përkatës të raportimit, të përmendur në dokument me emërtimin SK2.

Pakënaqësi mes punonjësve të policisë

Situata ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e uniformave blu. Sipas informacionit të përcjellë, disa prej inspektorëve kanë kundërshtuar paralajmërimet, duke argumentuar se angazhimi për orë të gjata në terren gjatë protestave ua ka vështirësuar mbledhjen e informacionit të kërkuar.

Dokumenti i referohet nenit 123 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit” dhe njofton punonjësit për detyrimin që të bashkëpunojnë gjatë hetimit disiplinor, të japin shpjegime dhe të mos ndryshojnë apo fshijnë të dhëna që mund të ndihmojnë verifikimet.

Gjithashtu, inspektorët urdhërohen të paraqiten në intervistat që do t’u komunikohen nga autoritetet përkatëse. Moszbatimi i këtyre kërkesave, sipas dokumentit, mund të sjellë masa të tjera disiplinore.

Mbetet për t’u parë nëse paralajmërimet do të pasohen nga masa konkrete dhe si do të trajtohen pretendimet e punonjësve të policisë lidhur me pamundësinë për të siguruar informacion gjatë angazhimit të tyre në protestat e ditëve të fundit.

Dokumenti

Rrethanat e kryerjes së shkeljes nga ana e punonjësit të policisë:

Konkretisht, nga data 13.10.2026 deri më datë 25.10.2026, në qytetin e Tiranës janë organizuar protesta të dhunshme, të cilat janë organizuar nga studentë, tifozë ultras të skuadrave të Tiranës dhe Partizanit, si dhe nga militantë të partive të opozitës.

Këto protesta kanë qenë të dhunshme dhe personat që kanë marrë pjesë në to kanë kryer akte të dhunshme kundrejt punonjësve të policisë që kanë qenë të planizuar në shërbim, bizneseve private dhe pronës publike.

Për një periudhë kohore prej rreth 12 (dymbëdhjetë) ditësh, ju nuk keni dhënë asnjë informacion (duke mos përpiluar asnjë formular SK2) për personat e dhunshëm, të cilët kanë marrë pjesë në protestë dhe janë banorë në territorin që mbulon Komisariati i Policisë Nr. … Po ashtu, pavarësisht publikimeve të fotove të personave të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale në protestë, ju nuk keni identifikuar asnjë prej tyre.

Në datë 17.10.2026, në orën 23:50, është zhvilluar takimi midis shefit të komisariatit, shefit të krimeve, shefave të seksioneve për krimet dhe SPZ-ve të këtij komisariati. Në këtë takim janë lënë detyra për SPZ-të, që të japin informacion në lidhje me personat që janë organizatorë në protestë, kryesisht ata që janë tifozë të skuadrave të Partizanit dhe Tiranës, informacion për personat që sponsorizojnë protestat etj. Pavarësisht porosive të lëna në këtë takim, këta SPZ nuk kanë dhënë informacion në lidhje me këto detyra të dhëna.

Konkluzionet mbi shkeljen e kryer

• Nenin 123 të Ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Gjatë periudhës së hetimit disiplinor, nga ju kërkohet të bashkëpunoni ngushtë, duke dhënë sqarime të plota dhe të vërteta mbi atë çfarë do t’ju kërkohet. Ju jeni i urdhëruar që të mos ndryshoni apo të fshini informacione të cilat ndihmojnë verifikimin.
Nëse ju dëshironi, mund të kërkoni këshilla nga persona të tjerë, por këta persona nuk do të asistojnë gjatë intervistave që do të jepni.
Urdhëroheni që të paraqiteni në intervistë në kohën që do t’ju komunikohet me shkrim ose verbalisht.
Moszbatimi i kërkesave të mësipërme do të konsiderohet si shkelje tjetër që mund të shoqërohet me masa të tjera disiplinore.

Të gjithë inspektorët e policisë janë paralajmëruar me masë disiplinore nga shefat e komisariateve në Tiranë, pasi eprorët kanë pretenduar se ata nuk kanë dhënë informacion lidhur me pjesëmarrësit në protestë, organizatorët dhe financuesit e saj.

“Në takimin mes shefave të komisariateve janë lënë detyra për SPZ-të, që të japin informacion në lidhje me personat që janë organizatorë në protestë, kryesisht ata që janë tifozë të skuadrave të Partizanit dhe Tiranës, informacion për personat që sponsorizojnë protestat etj. Pavarësisht porosive të lëna në këtë takim, këta SPZ nuk kanë dhënë informacion në lidhje me këto detyra të dhëna”, thuhet në dokument.

Pas marrjes së kësaj shkrese, shumë nga punonjësit e policisë janë rebeluar, pasi thonë se kanë qenë në pamundësi për të siguruar informacion, për shkak të angazhimit me orë të gjata në protestë. Burimet konfirmojnë se kjo ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e uniformave blu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.