E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nis protesta e 14-të e studentëve, bizneset në Rrugën e Durrësit ulin qepenat
Lajme

Nis protesta e 14-të e studentëve, bizneset në Rrugën e Durrësit ulin qepenat

Protesta studentore në Tiranë vijon edhe këtë të hënë, duke shënuar ditën e 14-të të mobilizimit kundër qeverisë. Ndërsa të rinjtë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit për të vijuar tubimin e paralajmëruar në orën 14:00, disa biznese përgjatë Rrugës së Durrësit kanë mbyllur qepenat.

Studentët këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe deklarojnë se nuk do ta ndërpresin protestën pa marrë përgjigje për kërkesat e tyre. Pas dy javësh demonstrata, pakënaqësia e të rinjve vijon të shprehet në rrugët e kryeqytetit, ndërsa lëvizjes i janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.

Bizneset mbyllin qepenat, protesta vijon në kryeqytet

Mbyllja e disa bizneseve në Rrugën e Durrësit shoqëron zhvillimet e protestës së sotme, ndërsa vëmendja mbetet te grumbullimi i studentëve para Ministrisë së Arsimit. Tubimet e ditëve të fundit janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e Policisë së Shtetit, ku është raportuar për përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe për persona të lënduar e të arrestuar.

Protesta e zhvilluar një ditë më parë u karakterizua nga një situatë më e qetë, pa përplasje të forta. Megjithatë, studentët kanë bërë të qartë se do të vazhdojnë mobilizimin, duke kundërshtuar edhe paralajmërimet e qeverisë për masa ndëshkuese.

I riu i diplomuar në Drejtësi i drejtohet Ramës: Nuk do të frikësohemi

Në fokus të zhvillimeve të ditës është edhe mesazhi i një protestuesi të sapodiplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, i cili i kërkoi kryeministrit të mos e nënvlerësojë qëndrueshmërinë e të rinjve.

Deklarata u bë gjatë një komunikimi me mediat, në të cilin përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë njoftuan se do të dorëzojnë një kallëzim në SPAK lidhur me pretendimet për dhunë policore ndaj studentëve gjatë protestave.

Protestuesi kundërshtoi masat e paralajmëruara nga qeveria, duke argumentuar se ato bien ndesh me parimet europiane dhe duke shprehur bindjen se Gjykata Kushtetuese do t’i rrëzojë. Ai theksoi se kërcënimet me masa ndëshkuese nuk do t’i ndalin të rinjtë, të cilët, sipas tij, po vijojnë të protestojnë edhe pse përballen me vështirësi gjatë ditës dhe duhet të punojnë gjatë natës.

“Si protestues, si i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Rama duhet të ketë parasysh se ato masa kanë prapavijë. Parime komuniste, që dalin kundër parimeve të BE. Vetë Gjykata Kushtetuese do t’i rrëzojë ato. Por ai ta harrojë se ne do të frikësohemi nga ato masa, mos ta mendojë. Ne ditën hamë gaz, gjatë natës punojmë. Mos të na nënvlerësojë”, deklaroi i riu.

Me protestën që hyn në javën e tretë, mbetet për t’u parë nëse kërkesat e studentëve do të marrin një përgjigje nga qeveria dhe nëse presioni i vazhdueshëm në rrugë do të sjellë zhvillime të reja politike e institucionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.