GASHI shpërthen për dhunën ndaj studentëve: Shqipëria u përket të rinjve
Reperi shqiptar GASHI ka reaguar publikisht për protestat e studentëve në Shqipëri, duke shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë dhe duke dënuar dhunën e denoncuar gjatë tubimeve. Përmes një mesazhi të publikuar në Instagram, artisti ka kritikuar ashpër efektivët që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve, ndërsa ka vënë në qendër të reagimit përgjegjësinë morale të uniformës së policisë.
Në një kohë kur protestat kundër korrupsionit dhe padrejtësive kanë nxitur reagime të shumta, GASHI u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit të mos harrojnë se përballë tyre janë të rinj shqiptarë, familjarë dhe qytetarë që kërkojnë një të ardhme më të mirë.
GASHI mesazh policisë: Mendoni sikur protestuesit të ishin fëmijët tuaj
Në reagimin e tij, reperi nuk i kursen fjalët e forta ndaj efektivëve që, sipas tij, kanë ngritur dorë kundër të rinjve që protestojnë në mënyrë paqësore.
“Policëve shqiptarë që po ngrenë dorë kundër të rinjve shqiptarë, të cilët po protestojnë paqësisht kundër korrupsionit dhe padrejtësisë: Turp t’ju vijë! Nga thellësia e zemrës sime, turp t’ju vijë!”, shkruan artisti.
GASHI e lidh më tej çështjen e dhunës me përgjegjësinë njerëzore dhe familjare të punonjësve të policisë. Ai u kërkon të vënë veten në vendin e prindërve që mund të shohin fëmijët e tyre përballë forcës së uniformave që duhet t’i mbrojnë.
“Ata janë fëmijët tanë. GJAKU YNË. E ardhmja jonë. Mund të ishin djemtë tuaj, vajzat tuaja, vëllezërit apo motrat tuaja më të vogla. Imagjinoni të jeni prindër dhe të shihni se si pikërisht ata që janë betuar të mbrojnë fëmijën tuaj, bëhen njerëzit që e dhunojnë.
A nuk ju copëtohet zemra? A nuk ju flet ndërgjegjja?”, shprehet reperi.
“Sa para duhen që të harroni kë duhet të mbroni?”
Një tjetër pjesë e reagimit të GASHI-t lidhet me besnikërinë ndaj detyrës dhe me pyetjen se kujt duhet t’i shërbejë policia: qytetarëve apo interesave të pushtetit.
“Sa vlen besnikëria juaj? Sa para duhen që të harroni nga vini dhe kë duhet të mbroni?”, pyet ai, duke theksuar se paratë, pozitat dhe pushteti nuk janë të përjetshme, ndërsa përgjegjësia për veprimet mbetet.
Artisti rikujton gjithashtu sakrificat e brezave të mëparshëm dhe kundërshton idenë që të rinjtë të përballen me dhunë për të ruajtur interesat e atyre që qeverisin.
“Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë sakrifikuar shumë më tepër sesa mund të imagjinojmë, që ne të kthehemi në një popull që ngrihet kundër fëmijëve të vet për rehatinë e atyre që janë në pushtet.
Shqipëria u përket fëmijëve të saj, jo xhepave të pushtetarëve”, thekson GASHI në mesazhin e tij.
Reperi: Të rinjtë nuk janë armiqtë e policisë
Në përfundim të reagimit, GASHI u bën thirrje efektivëve që të dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe t’i trajtojnë ata si qytetarë që meritojnë mbrojtje, jo si kundërshtarë.
“Ju lutem, mbrojini të rinjtë tanë. Dëgjojini. Ata nuk janë armiqtë tuaj. Ata janë e ardhmja për të cilën ju duhet të luftoni”, shkruan ai.
Më tej, reperi nënvizon se uniforma nuk duhet të bëhet arsye për të lënë mënjanë ndërgjegjen dhe njerëzillëkun.
“Dhe nëse uniforma juaj ndonjëherë ju kërkon të harroni njerëzillëkun, kujtoni se përpara se të ishit policë, ishit shqiptarë. Ishit fëmija i dikujt. Ishit njerëz.
Zoti e mbroftë çdo të ri të pafajshëm që ngrihet për një të nesërme më të mirë”, përfundon reagimin e tij.
Mesazhi i GASHI-t vjen në një klimë të tensionuar, ku protestat e studentëve kanë rikthyer në qendër të debatit publik korrupsionin, kërkesat për ndryshim dhe denoncimet për përdorim të dhunës nga policia. Reagimi i artistit i shtohet zërave që kërkojnë respektimin e të drejtave të protestuesve dhe përgjegjësi për çdo rast të mundshëm të tejkalimit të kompetencave nga uniformat blu.
Në thelb të mesazhit të tij qëndron një thirrje e drejtpërdrejtë: detyra e policisë është të mbrojë qytetarët, ndërsa e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si kërcënim.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



