Pas dhunës brutale në protesta, kujtohet Policia: Mos kontrolloni telefona pa urdhër gjykate
Pas protestave të fundit studentore dhe raportimeve për shkelje gjatë veprimeve policore, Policia e Shtetit u ka dërguar strukturave përkatëse një shkresë urgjente, përmes së cilës kërkon zbatimin e garancive ligjore gjatë shoqërimit dhe trajtimit të të miturve.
Dokumenti i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u është drejtuar komisariateve nr. 1 deri në 7, si dhe strukturave policore në Krujë. Ndër udhëzimet e përfshira në shkresë është ndalimi i kontrollit të telefonave celularë pa urdhër gjykate, ndërsa kërkesat për përgjime duhet të mbështeten në dispozitat ligjore përkatëse.
Rikujtimi i këtyre detyrimeve vjen në një moment kur veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestave studentore janë vënë nën vëzhgim, veçanërisht për mënyrën e trajtimit të të rinjve dhe respektimin e të drejtave të tyre gjatë shoqërimeve.
Të miturit, me prind ose kujdestar dhe psikolog
Një pjesë e rëndësishme e udhëzimit lidhet me procedurat që duhet të ndiqen kur në veprimet policore përfshihen të mitur. Sipas shkresës, gjatë këtyre procedurave duhet të garantohet prania e prindit ose kujdestarit ligjor dhe e psikologut.
Përpara marrjes në pyetje, efektivët duhet të plotësojnë formularin për njohjen me të drejtat ligjore, ndërsa për rastet që përfshijnë të mitur duhet të mbahet një regjistër i veçantë.
Drejtuesve u kërkohet gjithashtu të sigurojnë që shoqërimi në polici të mos zgjasë përtej kohës së nevojshme dhe kufijve të përcaktuar nga ligji. Për këtë qëllim, strukturat duhet të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse, duke shmangur mbajtjen e panevojshme të të miturve në ambientet policore.
Numrat identifikues dhe dokumentimi i shoqërimeve
Shkresa përfshin edhe detyrime që lidhen me identifikimin e punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës. Efektivët duhet të mbajnë të dukshëm numrat identifikues, ndërsa automjetet policore duhet të kenë shenjat përkatëse.
Një tjetër kërkesë është dokumentimi i plotë i çdo shoqërimi, në mënyrë që veprimet e kryera nga policia të pasqyrohen në regjistrat përkatës dhe të mund të verifikohen në rast ankesash apo hetimesh.
Rikujtohen rregullat për përdorimin e forcës dhe gazit lotsjellës
Në dokument theksohet edhe nevoja për respektimin e rregullave ligjore që përcaktojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës gjatë ndërhyrjeve policore.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë u kërkon drejtuesve të komisariateve që udhëzimet të zbatohen në përputhje me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe legjislacionin në fuqi.
Megjithatë, rëndësia e kësaj shkrese nuk qëndron vetëm te detyrimet që u rikujtohen efektivëve, por edhe te nevoja që ato të zbatohen në praktikë. Respektimi i të drejtave të të miturve, kufizimet ligjore për kontrollin e pajisjeve elektronike dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës duhet të garantohen në çdo rast, pavarësisht rrethanave në të cilat kryhen veprimet policore.
Tashmë, mbetet për t’u parë se si do të zbatohen këto udhëzime dhe nëse pretendimet për shkelje gjatë protestave studentore do të marrin përgjigje përmes verifikimeve institucionale.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



