Klienti paguan për TV, kur vjen puna te shërbimi mbetet në mëshirë të Tring
Abonimet paguhen, por kush mban përgjegjësi kur shërbimi ndërpritet dhe ankesat nuk marrin zgjidhje?
Konsumatorët meritojnë më shumë se premtime dhe fatura mujore.
Të paguash çdo muaj për një shërbim dhe të mbetesh pa të, ndërsa pret një zgjidhje nga kompania, është një situatë që ngre pikëpyetje serioze për marrëdhënien mes operatorëve televizivë dhe klientëve të tyre.
Rastet e raportuara për ndërprerje të shërbimeve të Tring kanë rikthyer në vëmendje një pyetje thelbësore: kur abonenti paguan, por shërbimi nuk funksionon, kush e mban përgjegjësinë?
Dhe kjo nuk është një problematikë e feskët, por e hershme, pasi mjafton të kujtojmë se shtator 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi nisjen e një hetimi administrativ pas ankesave për ndërprerjen e shërbimit OTT të Tring në disa zona. Kompania e kishte lidhur problemin me një defekt teknik dhe kishte njoftuar se do të parashikonte kompensim për abonentët e prekur, sipas kushteve përkatëse.
Por për konsumatorin, problemi nuk mbaron me një shpjegim teknik, pasi problematikat vijojne ende dhe sot e kësaj dite. Ai kërkon shërbimin për të cilin paguan, përgjigje konkrete dhe trajtim të drejtë kur kontrata nuk përmbushet siç pritet.
A është klienti vetëm një numër abonimi kur duhet të kërkojë llogari? Operatorët duhet të jenë transparentë për ndërprerjet, tarifat dhe kushtet e kontratave, ndërsa ankesat duhet të trajtohen me seriozitet.
Në një treg ku konsumatori paguan përpara për shërbime televizive dhe interneti, përgjegjësia nuk mund të jetë vetëm e abonentit. Kur shërbimi mungon, ai ka të drejtë të kërkojë llogari mbi zbatimin e kushteve që ka pranuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



