Dita e 15-të e protestës: Policia dhe autoboti në gatishmëri para Ministrisë së Arsimit
Protesta studentore kundër qeverisë vijon në Tiranë. Pasditen e kësaj të marte, 27 tetor, një grup studentësh ka nisur të mblidhet përpara Ministrisë së Arsimit, në kuadër të ditës së 15-të të tubimeve.
Pranë institucionit janë vendosur forca të shumta policie, ndërsa në zonë është pozicionuar edhe autoboti, si pjesë e masave të marra për garantimin e rendit dhe përballimin e çdo situate të mundshme gjatë protestës.
Prania e forcave të sigurisë dhe e mjeteve të ndërhyrjes vjen në një kohë kur protesta studentore vijon, ndërsa mbetet e paqartë se si do të zhvillohet tubimi i sotëm dhe nëse do të ketë përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Dy ditët e fundit, protestat janë zhvilluar pa përplasje të përmasave të mëdha mes studentëve dhe efektivëve të rendit. Megjithatë, vendosja e masave të sigurisë tregon se autoritetet janë përgatitur për mundësinë e tensioneve.
Protesta e kësaj të marte shënon ditën e 15-të të mobilizimit studentor, ndërsa zhvillimet para Ministrisë së Arsimit pritet të përcaktojnë ecurinë e tubimit gjatë orëve në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



