Rama rrëfen prapaskenat e bashkëqeverisjes me LSI dhe tregon momentin delikat kur për pak iu rrëzua qeveria
Kryeministri Edi Rama ka treguar sot pjesë nga prapaskenat e një viti më parë kur së bashku me LSI-në atëherë në qeveri kishin kontradikta për miratimin e Reformës në Drejtësi.
Duke folur në një aktivitet për ecurinë e kësaj reforme, ai tha se për shkak të kundërshtimeve të mëdha, Qeveria mund të rrëzohej.
“Nëse sot Shqipëria është më afër se asnjëherë momentit historik të çeljes së negociatave në BE, kjo i dedikohet PS-së që e mori në sy sfidën dhe rrezikun dhe që në një moment të caktuar rrezikoi të qeveriste për shkak të një përpjekje për të rrëzuar qeverinë.
Sot sfida për ta bërë Shqipërinë është një sfidë e cila është qartësisht në dorën tonë sepse është një sfidë që kalon pikërisht përmes realizimit në terrenin e jetës së përditshme të kësaj reforme të pandalshme”, tha Rama.
Sipas tij “çfarë do vijë më tutje do të provojë se sa me vend është ambicia jonë dhe se sa me vend është mbështetja e 99% të shqiptarëve për këtë reformë, zbatimi i së cilës do të fillojë të ndajë në vitet në vijim politikanët që i shërbejnë vendit nga politikanët që vendin e duan si një mjet për ti shërbyer vetes.
Do të ndajë politikanët që e luftojnë krimin dhe korrupsionin me gjithë mend nga politikanët që krimin dhe korrupsionin i kanë materie bazë për baltën e përditshme ndaj kundërshtarit.
Do të ndajë Shqipërinë e të paprekshmëve dhe të gjithë pushtetshmëve nga Shqipëria e të gjithëve si të barabartë përpara ligjit”.
Gjatë fjalës së tij në takimin e sotëm të Fondacionit “Qemal Stafa” për reformën në drejtësi sipas perspektivës europiane, kryeministri Rama theksoi punën e madhe që e pret përpara fondacionin.
Ai theksoi se fondacioni “duhet të bëjë bashkë Nanon, Pëllumbin, Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë, njerëz që kanë pasur përgjegjësi në kohë të rëndësishme dhe pesha të rënda në vendimmarrjet e PS, me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe peshën, dhe me të tjerë që i përkasin botës akademike, shoqërisë civile, ku përkatësia nuk është kaq direkte sa e atyre që janë të lidhur me këtë familje politike, por indirekt na vjen si hapësirë vlerash, parimesh”.
Sipas Ramës, fondacioni duhet të vazhdojë traditën e krijuar për të bashkëpunuar me fondacione të rrjetit të së majtës progresiste.
“Duhet të shoh pak më larg, të kërkojë më shumë nga vetja dhe të tejkalojë kufijtë e Shqipërisë zyrtare, për të parë potencialet në hapësirën shqiptare. Për të parë se si është sot kjo familje idesh, vlerash e parimesh”, tha ai.
Rama tha se PS është një provë e madhe.
“Nëse ka një parti politike në hapësirën e Shqipërisë që kurrë nuk ka lëvizur nga vija e interesit kombëtar, është PS, që nuk ka negociuar në asnjë rast për interesa pushteti, apo të paqarta, interesin kombëtar.
Nuk ishte ajo që i hapi rrugë kontrabandës së naftës me Miloshevicin, nuk ishte PS që vuri në pozitë presionin delegacionin shqiptar në Rambuje, por doli haptas kundër marrëveshjes së Rambujesë.
Ishte PS që celi një kapitull shumë të vështirë me fqinjët tanë në Jug kundër marrëveshjes të papranueshme për kufirin.
Nuk ishte PS që toleroi prekjen e interesit kombëtar për interesa të pushtetit”, tha Rama gjatë fjalës së tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



