Lajm i mirë për Erjon Vishkullin, operacion del me sukses dhe i shpëton syri
Erjon Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës, ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, e cila konfirmoi se ndërhyrja ka arritur të shpëtojë syrin e të riut.
Përmes një njoftimi, ministrja bëri të ditur se operacioni u krye nga profesori Stanislao Rizzo, të cilin e falënderoi për profesionalizmin dhe përkushtimin gjatë trajtimit të pacientit.
Ajo njoftoi gjithashtu se qeveria ka miratuar mbështetje financiare për Erjon Vishkullin, ndërsa theksoi se rikuperimi i tij do të kërkojë kohë dhe ndjekje të mëtejshme mjekësore.
Ministrja i uroi të riut shërim të shpejtë, duke vlerësuar edhe kontributin e ekipit mjekësor që realizoi ndërhyrjen në kryeqytetin italian.
Suksesi i operacionit përbën një zhvillim pozitiv për Erjonin dhe familjen e tij, ndërsa mbetet për t’u parë ecuria e mëtejshme e rikuperimit të shikimit.
Njoftimi i plotë:
Sot qenka ditë lajmesh të mira! Pas kalimit në qeveri të paketës së re fiskale dhe të projektbuxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë eurove, kam marrë një lajm të mirë nga Roma.
Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila i ka shpëtuar syrin djalit.
Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, me mirënjohje të thellë, falënderova profesor Stanislao Rizzon, i cili, me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore, kreu me sukses ndërhyrjen. Ndërkohë, qeveria miratoi po sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin.
Përtej dijes dhe aftësive profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, ky bashkim forcash në emër të humanizmit, që i bën kaq të veçanta këto situata.
Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të shikimit do të vijojë me durim dhe besim.
Mirënjohje të sinqertë për profesor Rizzon për atë që bëri, si dhe përgëzime për familjen dhe miqtë e Erjonit!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



