E mërkurë, 28 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush fiton dhe kush ndëshkohet nga “teoria” e re e Edi Ramës?
Ekonomi

Kush fiton dhe kush ndëshkohet nga “teoria” e re e Edi Ramës?

Brenda më pak se 24 orëve nga rrjedhja e drafteve teknike në media, kryeministri Edi Rama ka bërë një kthesë të fortë strategjike gjatë prezantimit zyrtar të Paketës Fiskale 2027.

Pasi u përfol për një rritje agresive të tatim-fitimit të korporatave në 17%, Rama u tërhoq duke deklaruar se kjo normë do të qëndrojë e paprekur në 15%. Biznesi i vogël po ashtu do të vijojë me taksë zero mbi fitimin deri në vitin 2029.

Megjithatë, kjo “paqe” me biznesin e madh vjen me një faturë të kripur diku tjetër. Qeveria ka dizajnuar një skemë rishpërndarjeje, ku nga njëra anë ulet TVSH-ja e shportës dhe taksa mbi pagat, ndërsa nga ana tjetër shpërthen një valë “supertaksash” mbi dividendin, pronat dhe turizmin.

Kush fiton nga Paketa Fiskale 2027?
• Ulje e TVSH-së për Shportën: Për herë të parë, qeveria reagon ndaj shtrenjtimit të jetesës duke ulur TVSH-në nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore bazë. Kjo masë synon të lehtësojë xhepat e konsumatorëve të thjeshtë.

• Taksat mbi Pagat: Ndryshon skema e taksimit të punës. Qeveria njoftoi uljen e fashave të taksimit mbi pagat (nga skema aktuale 13-23%), duke lënë më shumë para neto në llogaritë e punëmarrësve.

• Hiqet Taksa e Qarkullimit: Shoferët nuk do ta paguajnë më këtë taksë te çmimi i naftës dhe benzinës, gjë që sjell një ulje automatike prej 32 lekësh për litër në pompë. (Detyrimi pritet të zhvendoset te taksa vjetore e mjetit).

Kush ndëshkohet dhe ku rriten taksat?
• Goditje fatale te Dividendi: Ortakët dhe aksionerët e korporatave do të përballen me një rritje radikale të tatimit mbi dividendin, i cili pothuajse dyfishohet duke kërcyer nga 8% në 15%.

• Rritet TVSH-ja Standarde me 1%: Për të kompensuar humbjet e shportës, norma standarde e TVSH-së për të gjitha mallrat dhe shërbimet e tjera rritet nga 20% në 21%.

• Ulet pragu i TVSH-së: Bizneset e vogla do të futen më shpejt në skemën e TVSH-së, pasi qeveria ka vendosur të ulë pragun ekzistues të xhiros, me qëllim parandalimin e copëtimit të bizneseve të mëdha në “guacka” të vogla.

• Turizmi paguan më shumë: TVSH-ja për hotelet dhe strukturat akomoduese rritet nga 6% në 10%. E vetmja që shpëton nga kjo rritje është kategoria e agroturizmit, e cila mbetet e mbrojtur.

Rama arnon paketën fiskale/ Shpërthen reforma e

“Supertaksat” e reja
1. Supertaksë për apartamentet bosh: Pronarët që mbajnë apartamente të dyta apo të treta të pashfrytëzuara (bosh) do të paguajnë një taksë të jashtëzakonshme mbi pronën.

2. Supertaksë për vilat në bregdet: Çdo vilë e pozicionuar në vijën e parë apo zonat bregdetare të luksit do të ngarkohet me tarifa të reja të larta.

3. Uji i pishinave me çmim të shumëfishuar: Për të mbrojtur burimet ujore dhe për të taksuar luksin, furnizimi me ujë për pishinat private dhe resorteve do të faturohet me çmime shumë herë më të larta se uji i konsumit të rregullt.

4. Supertaksë për makinat e luksit: Automjetet me kubaturë dhe vlerë të lartë do të paguajnë tarifa të shtuara regjistrimi dhe qarkullimi.

5. Taksa Digjitale: Influencerët e rrjeteve sociale (Instagram, TikTok, YouTube) dhe i gjithë sektori i tregtisë online (E-commerce) do të futen zyrtarisht në rrjetën e tatimeve përmes një takse të posaçme digjitale./Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.