E mërkurë, 28 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga maskat e te bllokimi i rrugëve, hyjnë në fuqi gjobat e reja për protestuesit
Lajme

Nga maskat e te bllokimi i rrugëve, hyjnë në fuqi gjobat e reja për protestuesit

Masat e reja ligjore për zhvillimin e tubimeve publike kanë hyrë në fuqi, duke parashikuar sanksione administrative më të ashpra për shkeljet gjatë protestave. Gjobat arrijnë deri në 500 mijë lekë për personat që nuk u binden urdhrave për shpërndarjen e tubimit dhe kanë fshehur identitetin, ndërsa bllokimi i rrugëve mund të ndëshkohet me 5 mijë lekë për çdo person, për çdo ditë bllokimi.

Paketa ligjore, e prezantuar ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, përfshin ndryshime në ligjin “Për tubimet”, duke zgjeruar masat administrative dhe kompetencat e Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatave gjatë protestave.

Sipas dispozitave të reja, pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, fshehja e identitetit dhe mosbindja ndaj urdhrave të policisë mund të sjellin gjoba që variojnë nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë. Për moszbatimin e urdhrave për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimeve, në raste të caktuara, masa financiare mund të arrijë deri në 200 mijë lekë.

Sanksioni më i lartë, deri në 500 mijë lekë, parashikohet kur një person nuk i bindet urdhrit të policisë për shpërndarjen e tubimit dhe njëkohësisht ka fshehur identitetin.

Një tjetër masë prek drejtpërdrejt bllokimin e akseve rrugore. Personat që pengojnë qarkullimin e automjeteve gjatë protestave mund të gjobiten me 5 mijë lekë për çdo ditë bllokimi, pavarësisht sa zgjat pengesa brenda asaj dite. Ky sanksion zbatohet kur veprimi nuk përbën vepër penale.

Kufizime të përkohshme për tubimet pranë institucioneve

Ndryshimet ligjore i japin drejtuesit të drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mundësinë të ndalojë ose kufizojë përkohësisht tubimet në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore.

Kjo masë mund të merret vetëm kur ekziston një rrezik real, serioz dhe i afërt për ushtrim dhune ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, të mbështetur në fakte konkrete. Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë dhe vendimi duhet të përcaktojë qartë zonën, afatin dhe arsyet që e justifikojnë atë.

Vendimi duhet të publikohet përpara se të nisë zbatimi. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, përmes një vendimi të ri të arsyetuar. Personat e interesuar kanë të drejtë ta kundërshtojnë masën në gjykatën administrative, e cila duhet të shprehet brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon automatikisht zbatimin e vendimit, përveçse kur gjykata vendos ndryshe.

Ligji përcakton gjithashtu se kufizimet nuk mund të shtrihen në të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore. Janë parashikuar edhe përjashtime për të miturit që kalojnë në zonën e kufizuar të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, për të shkuar apo për t’u kthyer nga shkolla, banesa, institucionet shëndetësore dhe sociale, si dhe veprimtaritë edukative, kulturore apo sportive.

Policia mund të urdhërojë largimin nga zona të caktuara

Paketës i shtohet edhe mundësia që punonjësit e Policisë së Shtetit të urdhërojnë largimin e një personi nga një zonë e mbrojtur për një periudhë deri në 48 orë.

Kjo masë mund të zbatohet kur sjellja konkrete e personit përfshin kanosje, ngacmime të përsëritura, ushtrim dhune, dëmtim të pronës ose pengim me dhunë të aksesit dhe përdorimit të zonës.

Në këtë kategori përfshihen stacionet dhe terminalet e transportit publik, mjetet e transportit, portet, aeroportet, perimetri rreth institucioneve arsimore e shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, mund të përfshihen zona të tjera të përcaktuara nga këshillat bashkiakë, nëse janë dokumentuar raste të përsëritura të veprave kundër personave ose pronës.

Urdhri duhet të jetë me shkrim, të përmbajë arsyet dhe faktet konkrete, si dhe t’i dorëzohet personit të prekur. Masa nuk mund të përdoret për të penguar pjesëmarrjen në protesta paqësore dhe as të mbështetet vetëm te karakteristikat personale, statusi social, kombësia, pamja apo precedentët penalë të individit.

Parashikohen gjithashtu përjashtime për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor ku personi merr trajtim dhe zyrën e avokatit.

Sanksione edhe për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

Ndryshimet përfshijnë edhe komunikimet elektronike që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të tubimeve.

Në rastet kur mesazhe të tilla publikohen ose shpërndahen përmes rrjeteve sociale, postës elektronike apo telefonit, Policia e Shtetit mund t’i dërgojë një njoftim mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit të identifikuar. Përmes këtij njoftimi kërkohet fshirja e përmbajtjes dhe mos përsëritja e veprimit, ndërsa personi vihet në dijeni për shkeljen e mundshme të legjislacionit në fuqi.

Njoftimi mund të përfshijë edhe mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike ose shërbime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ekziston nevoja. Nëse përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, policia mund të ndërmarrë masat përkatëse ligjore.

Regjistrim audiovizual i ndërhyrjeve të policisë

Një tjetër ndryshim lidhet me dokumentimin e situatave gjatë protestave. Policia e Shtetit parashikohet të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës.

Regjistrimet duhet të ruhen dhe të përpunohen në përputhje me legjislacionin përkatës, përfshirë dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Përveç sanksioneve të reja, ndryshimet rrisin edhe disa gjoba të parashikuara më parë nga ligji për tubimet. Për shkeljet që nuk përbëjnë vepër penale, masat administrative vendosen nga Policia e Shtetit në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.

Paketa e re hyn në fuqi menjëherë dhe është pjesë e masave të prezantuara nga qeveria kundër dhunës gjatë tubimeve publike.

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8773, DATË 23.4.2001, “PËR TUBIMET”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

Në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:

Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara

1. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.

2. Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.

3. Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në gjykatën administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.

4. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive.

5. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar, sipas nenit 8, të këtij ligji.

Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura

1. Në kuptim të këtij ligji, zona të mbrojtura janë:

a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;

b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;

c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.

2. Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.

3. Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.

4. Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.”.

Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:

Thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve

1. Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.

2. Në njoftimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to.

3. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.

Pas pikës 2, të nenit 21, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale.”.

Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… nga 1000 deri në 10 000 lekë …” zëvendësohen me “… nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

3. Në shkronjën “ç”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.

Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:

1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:

a) Pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, në kundërshtim me nenet 8 dhe 12/1, të këtij ligji, dënohet më gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

b) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

c) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;

ç) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

d) Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur, të nxjerrë në përputhje me nenin 12/2, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

dh) Fshehja e identitetit në kundërshtim me nenin 19, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit;

e) Përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve, në kundërshtim me nenin 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ë) Mosbindja ndaj thirrjeve për largim, sipas nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.

3. Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.