Studentët përzënë deputetët e PD, Noka kërcënon mbështetësit e Arlind Qorit
“Do e marrni përgjigjen një për një”
Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit është shoqëruar këtë të shtunë me përplasje të drejtpërdrejta mes të rinjve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët tentuan t’i bashkoheshin tubimit. Studentët kundërshtuan praninë e deputetëve dhe mbështetësve demokratë, duke këmbëngulur se lëvizja e tyre nuk duhet të përfaqësohet nga asnjë forcë politike.
Të rinjtë reaguan ndaj mbërritjes së opozitës duke krijuar një kordon njerëzor dhe duke kërkuar largimin e përfaqësuesve të saj. Gjatë debateve u dëgjuan thirrje kundër Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha, ndërsa protestuesit përsëritën qëndrimin se kjo është një revoltë qytetare dhe jo një aktivitet partiak.
Njëri prej të rinjve deklaroi se protesta u përket qytetarëve dhe se nuk janë të mirëpritur personat që identifikohen me partitë politike, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në gjendjen aktuale të vendit.
“Shqiptarët janë bashkë, por jo kriminelët”, ishte një tjetër mesazh i artikuluar gjatë përplasjes.
Një protestuese tjetër theksoi se brezi i ri nuk do të lejojë që pakënaqësia e tij të shfrytëzohet për interesa politike, duke deklaruar se studentët nuk do të pranojnë të njëjtat forma përfaqësimi që kanë kundërshtuar ndër vite.
Noka ia faturon Arlind Qorit thirrjet kundër Berishës
Përplasja mori një tjetër drejtim pas reagimit të deputetit të PD-së, Flamur Noka, i cili akuzoi mbështetësit e Arlind Qorit se qëndronin pas thirrjeve kundër Sali Berishës.
Pavarësisht kundërshtimit të protestuesve dhe kordonit të krijuar për të mos lejuar afrimin e demokratëve, Noka deklaroi se Partia Demokratike nuk do të largohej nga sheshi. Ai paralajmëroi gjithashtu përballje me mbështetësit e Qorit, duke përdorur një gjuhë kërcënuese ndaj tyre.
“Po ruajmë gjakftohtësinë, ne kemi dalë kundër Ramës, ata kanë dalë kundër opozitës. Këtu PD-në nuk e shkul dot askush nga sheshi, ata qoristat do ta marrin përgjigjen një për një”, deklaroi Noka.
Ndërkohë, në protestën e opozitës ishin bashkuar deputetët Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët ishin nisur nga selia e PD-së. Ata kishin qëndruar fillimisht për rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë dhe më pas ishin drejtuar drejt Ministrisë së Arsimit. Në këtë marshim nuk mori pjesë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Studentët refuzojnë përfshirjen e partive në protestë
Studentët vijojnë prej rreth tri javësh protestat kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, zhvillimet e kësaj të shtune tregojnë se një pjesë e protestuesve kanë një kundërshtim të qartë edhe ndaj përpjekjeve të partive politike për t’u bërë pjesë e lëvizjes.
Përplasja me demokratët ka nxjerrë në pah një tjetër debat brenda protestës: dallimin mes mbështetjes politike për kërkesat e studentëve dhe pretendimit për të marrë përfaqësimin e tyre.
Në një kohë kur të rinjtë kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet pa ndërmjetësimin e partive, përplasja me PD-në dhe deklaratat e Flamur Nokës kanë shtuar tensionet në tubimin përpara Ministrisë së Arsimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



