E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me gurë, molotovë e ujë me presion, përshkallëzohen tensionet në protestë
Lajme

Me gurë, molotovë e ujë me presion, përshkallëzohen tensionet në protestë

Protesta e studentëve në Tiranë është përshkallëzuar këtë të shtunë, duke u shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë pranë Ministrisë së Arsimit.

Situata është tensionuar pas djegies së koshave të mbeturinave, ndërsa disa prej protestuesve kanë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve. Më pas, në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit janë hedhur edhe molotovë.

Disa prej tyre kanë përfunduar poshtë autobotit të ujit të Policisë, duke shkaktuar shpërthime dhe flakë. Për të shpërndarë turmën, efektivët kanë përdorur ujë me presion.

Përveç përplasjeve me Policinë, tubimi është shoqëruar edhe me reagime kundër përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Pas bashkimit të deputetëve dhe mbështetësve të PD-së me protestën, një pjesë e studentëve kanë kundërshtuar praninë e tyre përmes thirrjeve kundër kësaj force politike.

“Poshtë komunizmi!” dhe “Rama në burg, Berisha në burg!” kanë qenë disa nga sloganet e dëgjuara gjatë tubimit. Përmes tyre, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin ndaj të dyja forcave kryesore politike.

Ndërkohë, në rrugë janë ndezur kosha mbeturinash dhe tymuese me ngjyrë rozë, ndërsa nga turma janë dëgjuar thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion!”.

Kjo është protesta e 19-të e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi nisi në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve për mobilizim kombëtar në mbështetje të studentëve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.