Grabitet banka te Komuna e Parisit në Tiranë, arratiset autori
Një grabitje me armë zjarri është raportuar këtë të hënë në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, ku objektiv i sulmit ka qenë një bankë e nivelit të dytë. Një person i maskuar, i cili dyshohet se ka qenë i armatosur, ka hyrë në ambientet e bankës dhe ka kërcënuar punonjësit, duke arritur të marrë një shumë parash.
Sipas të dhënave paraprake, autori ka vepruar duke përdorur kërcënimin me armë zjarri për të realizuar grabitjen. Pas marrjes së parave, ai është larguar nga banka dhe ka mundur të humbasë gjurmët përpara se të kapej nga autoritetet.
Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për shumën e parave të grabitura, ndërsa mbetet i paqartë edhe identiteti i personit që kreu sulmin.
Policia pritet të japë detaje të mëtejshme lidhur me ngjarjen, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin e autorit, dokumentimin e dinamikës së grabitjes dhe gjurmimin e itinerarit që ai ka ndjekur pas largimit nga banka.
Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje mbeten ende për t’u sqaruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



