Halloween-i në Tiranë kthehet në alarm, mbi 300 të rinj në urgjencë
Dyshime se vajzave iu hodhën “droga përdhunimi” në pije
Nata e Halloween-it në Tiranë, e cila mblodhi qindra të rinj në lokalet e kryeqytetit, raportohet se është shoqëruar me një situatë alarmante gjatë orëve të para të mëngjesit. Festa përfundoi për shumë prej pjesëmarrësve në dyert e urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pas shfaqjes së shqetësimeve të papritura shëndetësore.
Sipas të dhënave të raportuara, mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa rreth 230–240 prej tyre janë paraqitur në urgjencë brenda një harku kohor prej vetëm tre orësh.
Por ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën janë dyshimet për ekspozimin e vajzave ndaj substancave që njihen si “Rape Drugs”, të cilat mund të përdoren për të droguar persona pa dijeninë e tyre.
Mbi 80 vajza me simptoma, dyshime për substanca në pije
Raportohet se më shumë se 80 vajza kanë shfaqur simptoma që dyshohet se mund të lidhen me përdorimin e këtyre substancave. Dyshimi i ngritur është se lëndët mund të jenë hedhur në pijet e tyre gjatë festimeve, pa e kuptuar se çfarë po konsumonin.
Substanca të tilla mund të shkaktojnë marramendje, përgjumje, çorientim, humbje të kujtesës dhe, në raste më të rënda, humbje të vetëdijes. Efektet e tyre mund ta bëjnë një person të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj abuzimit seksual.
Pikërisht për këtë arsye, dyshimet për përdorimin e tyre gjatë një feste ku merrnin pjesë qindra të rinj kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë në ambientet e argëtimit të natës.
Ende pa konfirmim zyrtar
Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar se gjendja e personave që kërkuan ndihmë mjekësore është shkaktuar nga substanca të tilla. Nuk janë bërë publike rezultatet e analizave toksikologjike, nëse janë kryer, apo të dhëna të hollësishme mbi gjendjen shëndetësore të të rinjve.
Mbetet për t’u sqaruar se çfarë ndodhi gjatë orëve të festimeve të Halloween-it, nëse ka pasur hedhje të qëllimshme të substancave në pije dhe nëse dyshimet do të mbështeten nga rezultatet e analizave dhe hetimet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



