Studentët zbarkojnë te Kryeministria me thirrje kundër Ramës e Ballukut
Protesta studentore ka vijuar edhe pasditen e kësaj të hëne, duke u zhvendosur nga institucionet arsimore drejt godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Studentë nga fakultete të ndryshme marshuan drejt selisë së qeverisë, ku përballë godinës nisën të artikulojnë thirrje të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun!”, ishte një prej thirrjeve që shoqëroi marshimin e të rinjve, duke e zhvendosur fokusin e protestës edhe drejt përgjegjësisë politike të drejtuesve të qeverisë.
Pasi mbërritën përpara Kryeministrisë, protestuesit u ndalën në mes të bulevardit, ku vijuan të kundërshtojnë kryeministrin dhe reagimin e forcave të rendit.
Të rinjtë drejtuan gjithashtu slogane kundër Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si “polici e krimit”.
Zhvendosja e protestës drejt Kryeministrisë shënon një tjetër përshkallëzim të presionit të studentëve ndaj qeverisë, ndërsa kërkesat e tyre dhe pakënaqësia për mënyrën e trajtimit të protestuesve vijojnë të mbajnë të tensionuar situatën politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



