E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nisin gjobat ndaj protestuesve, qytetarët ndëshkohen me 5 mijë lekë
Lajme

Nisin gjobat ndaj protestuesve, qytetarët ndëshkohen me 5 mijë lekë

Paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama për ndëshkimin me gjoba të qytetarëve që marrin pjesë në protesta duket se ka kaluar në zbatim. Disa aktivistë dhe protestues kanë raportuar se kanë marrë gjoba prej 5 mijë lekësh, pasi kanë qenë pjesë e tubimeve kundër qeverisë dhe janë akuzuar për bllokim të qarkullimit rrugor.

Lajmi vjen në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë, ndërsa studentëve u janë bashkuar edhe qytetarë e aktivistë të tjerë. Sipas raportimeve të personave të ndëshkuar, masat administrative janë vendosur pas pjesëmarrjes së tyre në tubime, duke rikthyer në qendër të debatit mënyrën se si po trajtohen protestat dhe e drejta për të kundërshtuar publikisht qeverinë.

Vetë qytetarët e gjobitur i konsiderojnë këto masa si një përpjekje për t’i frikësuar dhe për t’i larguar nga protestat. Megjithatë, ata kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qëndrimet e tyre dhe do të vijojnë të marrin pjesë në tubime.

Për këtë zhvillim ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka cilësuar gjobitjen e protestuesve për pjesëmarrjen në tubime paqësore si një akt arbitrariteti dhe cenim të lirive themelore.

Sipas Bardhit, e drejta për t’u mbledhur dhe për të protestuar në mënyrë paqësore mbrohet nga Kushtetuta dhe nuk mund të kufizohet përmes masave ndëshkuese apo përdorimit të forcës.

Reagimi i tij vjen ndërsa përballja mes qeverisë dhe protestuesve vijon të jetë e tensionuar. Studentët dhe qytetarët që janë përfshirë në protestat e fundit kanë refuzuar ofertën e Ramës për dialog, duke këmbëngulur te kërkesa e tyre politike për dorëheqjen e kryeministrit.

Vendosja e gjobave prej 5 mijë lekësh pritet të hapë një tjetër debat mbi kufijtë e ndërhyrjes së autoriteteve ndaj tubimeve publike dhe mënyrën se si garantohet ushtrimi i së drejtës për protestë.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore.

E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.