E martë, 3 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mussolini, Rama dhe bashkëpunëtorët që dinë shumë!
Lajme

Mussolini, Rama dhe bashkëpunëtorët që dinë shumë!

Publikuar nga Ergis Noka

Në historinë e Benito Mussolinit ka një episod që meriton të kujtohet sa herë flasim për marrëdhënien mes një udhëheqësi dhe njerëzve që kanë qenë pjesë e ndërtimit të pushtetit të tij.

Është historia e vrasjes së deputetit socialist Giacomo Matteotti, në qershor të vitit 1924. Matteotti ishte një nga kundërshtarët më të vendosur të fashizmit. Ai kishte denoncuar manipulimin e zgjedhjeve, dhunën politike dhe korrupsionin e regjimit. Pas rrëmbimit dhe vrasjes së tij, hetimet çuan te një grup njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e pushtetit fashist. Në krye të grupit ishte Amerigo Dumini.

Por pas arrestimit të tyre, historia bëhet edhe më interesante.

Historiani italian Mauro Canali, një nga studiuesit e çështjes Matteotti, përshkruan një marrëdhënie shantazhi të ndërsjellë mes Mussolinit dhe njerëzve të tij të arrestuar. Bashkëpunëtorët e burgosur kërcënonin se do të flisnin nëse Mussolini nuk ndërhynte për t’i mbrojtur dhe për t’i nxjerrë nga burgu. Ata dinin shumë. Mbijetesa politike e Duçes varej, të paktën pjesërisht, nga heshtja e tyre.

Mussolini, nga ana tjetër, u përcillte një mesazh po aq të qartë: nëse ai rrëzohej, ata do të mbeteshin në burg; nëse ai mbijetonte politikisht, do të gjente një mënyrë për t’i shpëtuar.

Marrëveshja ishte e heshtur, por e kuptueshme: ju merrni përsipër përgjegjësinë, nuk flisni për mua dhe unë do të kujdesem për ju.

Një lloj kontrate që nuk kishte nevojë për noter, ku njëri mbante pushtetin dhe të tjerët mbanin sekretet.

Gati një shekull më vonë, në Shqipëri, konflikti mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ndonëse në rrethana historike dhe politike krejt të ndryshme, sjell në vëmendje një mekanizëm të ngjashëm të personalizimit të pushtetit.

Sipas versionit të bërë publik nga avokati Plarent Ndreca, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka vizituar Veliajn në burgun e Fierit dhe i ka përcjellë një mesazh të kryeministrit. Mesazhi përmbante kërkesën për dorëzimin e mandatit, delegimin e pushtetit te persona të përcaktuar prej tij dhe heqjen dorë nga avokati mbrojtës. Në të kundërt, sipas këtij versioni, pasonin kërcënime për transferim në një burg tjetër dhe për orientimin e SPAK-ut drejt hetimeve të reja. Gogu i ka mohuar këto pretendime, të cilat kërkojnë verifikim të pavarur.

Rama dhe Veliaj kanë qenë për vite pjesë të së njëjtës strukturë pushteti. Veliaj nuk ishte thjesht një kryetar bashkie i zgjedhur nga socialistët. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të projektit politik të Ramës, një nga njerëzit që mishëronin vazhdimësinë dhe suksesin e këtij projekti në Tiranë.

Por pushteti  i personalizuar i Ramës ka një logjikë të veçantë: bashkëpunëtori është i vlefshëm për aq kohë sa është i dobishëm dhe i bindur. Kur kërkon autonomi, bëhet problem. Kur kundërshton,  trajtohet si tradhtar dhe kur di shumë, bëhet edhe më i papërshtatshëm.

Historia e Mussolinit ka edhe një kapitull tjetër. Në vitin 1943, kur regjimi po shembej, një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij votuan kundër tij në Këshillin e Madh Fashist. Mes tyre ishte edhe Galeazzo Ciano, ish-ministër i Jashtëm dhe dhëndri i Mussolinit. Pas rikthimit të tij në pushtet, Mussolini organizoi Procesin e Veronës. Pesë nga ata që kishin votuar kundër tij u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan.

Por ajo që e bën episodin e Fierit edhe më shqetësues është pretendimi për përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në një konflikt mes kryeministrit dhe një ish-bashkëpunëtori të tij, i cili ndodhet në burg.

Ministri i Drejtësisë, në fund të fundit, ka një funksion kushtetues dhe institucional. Nuk është korrier politik, aq më pak shpërndarës porosish në qelitë e burgjeve.

Nëse versioni i Veliajt provohet, atëherë kemi të bëjmë me një problem që shkon shumë përtej një konfliktit brenda Partisë Socialiste. Kemi një situatë ku kufiri mes përgjegjësisë institucionale dhe shërbimit ndaj interesave politike është zhdukur përfundimisht.

Mësimi edhe pas 100 vitesh është po aq i të hidhur: kur pushteti personal bëhet më i rëndësishëm se institucionet, edhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të kthehen në pengjet e tij. Dhe kur politika shndërrohet në një marrëdhënie pengmarrjeje të ndërsjellë, demokracia është ajo që rrezikon të mbetet pengu i fundit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.