Rama kërkon dialog, studentët i kthejnë shpinën: Bashkohuni me ne, bojkotoni mësimin!
Protesta studentore kundër qeverisë ka hyrë në ditën e 22-të, ndërsa lëvizja vijon të kërkojë mbështetje më të gjerë në universitetet e vendit. Mëngjesin e kësaj të marte, studentët janë mbledhur pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, ku kanë nisur një tjetër aksion për të bindur kolegët e tyre t’i bashkohen protestës dhe të bojkotojnë procesin mësimor.
“Bojkotoni mësimin!” dhe “Bashkohuni me ne!” janë thirrjet që kanë shoqëruar marshimin e të rinjve, të cilët synojnë të zgjerojnë pjesëmarrjen dhe ta kthejnë bojkotin në një reagim më të madh studentor.
Përveç thirrjeve drejtuar studentëve, protestuesit kanë zgjedhur edhe një mënyrë simbolike për të kundërshtuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Në ambientet e Universitetit Politeknik janë vendosur fotografi mbi karrige, të cilat, sipas protestuesve, dokumentojnë episode të dhunës policore ndaj të rinjve gjatë tubimeve të mëparshme.
Fotografitë janë shoqëruar me fjalën “Dialog”, në një mesazh ironik ndaj nismës së kreut të qeverisë. Në një tjetër pankartë është vendosur edhe mesazhi: “Sa shpejt harroni diktator”.
Nga ana tjetër, Rama ka përsëritur edhe këtë mëngjes ftesën për bisedime, duke vendosur fletë me mbishkrimin “Dialog” mbi tryezën prej guri përpara Kryeministrisë. Por kjo nismë nuk ka sjellë deri tani ndryshim në qëndrimin e protestuesve, të cilët nuk pranojnë të ulen në tryezë me kryeministrin.
Kërkesa kryesore e studentëve vijon të jetë dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i qeverisë, ndërsa ata paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe bojkoti pa një zgjidhje që përmbush kërkesat e tyre.
Studentët: Ftesa e Ramës për dialog është hipokrite, na shpërfillën për muaj të tërë
Refuzimi i dialogut është shoqëruar edhe me kritika të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si qeveria ka reaguar ndaj protestës. Studentët e cilësojnë ftesën e Ramës si hipokrite, duke argumentuar se institucionet kanë pasur muaj kohë për të dëgjuar shqetësimet e tyre, por kanë zgjedhur t’i shpërfillin.
Në një prononcim për mediat, një prej studenteve pjesëmarrëse në protestë tha se të rinjtë kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhje përmes reagimeve paqësore, por përgjigjja nga institucionet ka munguar. Sipas saj, kryeministri ka nisur të flasë për dialog vetëm pasi protesta është zgjeruar dhe presioni ndaj qeverisë është rritur.
Studentja iu drejtua edhe atyre që po kërkojnë ndërprerjen e bojkotit dhe rikthimin në auditorë, duke u kërkuar të mos harrojnë arsyet që i nxorën të rinjtë në rrugë. Ajo theksoi se qëllimi i lëvizjes nuk është humbja e vitit akademik, por kërkimi i një të ardhmeje më të mirë dhe ndryshimi i situatës që i ka shtyrë të protestojnë.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ajo ngriti lidhet me organizimin e studentëve brenda universiteteve. Sipas saj, fakultetet duhet të aktivizojnë strukturat e tyre përfaqësuese dhe të zhvillojnë diskutime të përbashkëta për të përcaktuar drejtimin që do të marrë lëvizja.
Ajo sqaroi se bojkoti nuk është shpallur nga një organ i vetëm zyrtar studentor, por është rezultat i vendimeve individuale të të rinjve që kanë zgjedhur t’i bashkohen protestës.
“Ne nuk kemi autoritet mbi askënd”, ishte mesazhi i saj, duke nënvizuar se marshimi synon të ndërgjegjësojë studentët dhe t’u rikujtojë arsyet e kësaj lëvizjeje.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar marshimin në disa fakultete të Tiranës, ku po kërkojnë mbështetjen e studentëve të tjerë. Me hyrjen në javën e katërt të protestës, beteja tashmë nuk lidhet vetëm me qëndrueshmërinë e të rinjve në rrugë, por edhe me aftësinë për të zgjeruar bojkotin në të gjithë universitetet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



