Grabitet karburanti në Klos, dy persona terrorizojnë punonjësin dhe marrin paratë
Një pikë karburanti në qytetin e Klosit është bërë objekt i një grabitjeje gjatë orëve të para të mëngjesit, ku dy persona të maskuar kanë kërcënuar punonjësin që ndodhej në shërbim dhe kanë marrë paratë e biznesit.
Sipas të dhënave paraprake, dy autorët kanë hyrë në ambientet e karburantit me fytyrat e mbuluara, duke vënë nën presion punonjësin. Grabitja dyshohet se është kryer me role të ndara: njëri prej personave është marrë me neutralizimin e punonjësit, ndërsa tjetri ka shkuar drejt kasafortës për të marrë paratë që ndodheshin aty.
Pasi kanë siguruar shumën e parave, të dy autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur gjurmët.
Deri më tani nuk është bërë e ditur vlera e parave të marra. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse dy personat kanë qenë të armatosur gjatë grabitjes.
Pas sinjalizimit për ngjarjen, në vendin e grabitjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të saj.
Grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave, identifikimin e dy personave të përfshirë dhe lokalizimin e tyre, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e grabitjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



