Koçeku: Rama dhe Veliaj po mbysin njëri-tjetrin, ka nisur përçarja në PS
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka komentuar përplasjen gjithnjë e më të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e përshkruar atë si një luftë politike ku, në përpjekje për të mbrojtur njëri-tjetrin, të dyja palët po përfundojnë duke dëmtuar njëra-tjetrën.
Koçeku përdori një metaforë të fortë për të përshkruar marrëdhënien mes dy figurave të Partisë Socialiste, duke deklaruar se të dy po flasin “nga burgu”, me ndryshimin se njëri ndodhet brenda qelisë, ndërsa tjetri jashtë saj.
“Po flasin të dy prej burgut, vetëm se njëri është brenda dhe tjetri është jashtë tij. Flas për Veliajn dhe zotin Rama. Ka një luftë dhe sulm ndërmjet të dyve, por për të mbrojtur njëri-tjetrin, në fakt po e mbysin njëri-tjetrin”, u shpreh deputetja.
Sipas saj, zhvillimet e fundit nuk janë të papritura, por pjesë e një procesi politik që pritet të ketë pasoja më të gjera. Koçeku e lidh thellimin e konfliktit me klimën e protestave që prej pesë muajsh vijojnë në Tiranë, si dhe me krisjet e brendshme që, sipas saj, kanë nisur të shfaqen në kampin socialist.
Ajo kujtoi edhe largimin e saj nga Partia Socialiste në fillim të qershorit, duke e konsideruar atë një nga shenjat e para të përçarjes politike. Sipas deputetes, përplasjet aktuale mund të nxisin shkëputje të tjera nga radhët e PS-së, duke krijuar çarje të reja jo vetëm brenda kësaj force politike, por edhe në skenën më të gjerë politike shqiptare.
Koçeku parashikon se ky proces mund të përfundojë pikërisht me atë që protestuesit kanë kërkuar prej muajsh: largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, Koçeku për largimin e Ramës
E pyetur nëse Rama do të pranojë të largohet nga posti, deputetja e pavarur tha se situata nuk varet nga dëshira apo vullneti personal i kryeministrit. Sipas saj, Rama nuk ka treguar asnjë shenjë se është i gatshëm të japë dorëheqjen, por zhvillimet mund ta vendosin përballë një situate ku largimi të bëhet i pashmangshëm.
“Nuk mendoj se është çështje dëshire apo konsensusi vetjak në këtë rast, pasi nuk besoj dhe tashmë është e qartë për të gjithë që Rama nuk pranon dorëheqjen dhe nuk do të donte të largohej nga posti. Këtë po e dëshmon çdo ditë, por besoj se situata do të vijë në atë pikë saqë nuk do të ketë rrugëzgjidhje tjetër”, deklaroi Koçeku.
Shkëputja nga PS, Koçeku tregon nëse komunikon me ish-kolegët
Gjatë intervistës, deputetja u pyet edhe për raportet që ruan me ish-kolegët e saj në grupin parlamentar socialist dhe nëse ka ende komunikime me deputetët e Partisë Socialiste.
Koçeku bëri të ditur se vendimi për t’u larguar nga grupi parlamentar është shoqëruar edhe me ndërprerjen e kontakteve me ish-kolegët. Ajo tha se këtë e ka bërë me vetëdije, për të respektuar zgjedhjen e saj politike dhe pozicionimin e ri si deputete e pavarur dhe zë kritik ndaj qeverisë.
“Që kur kam vendosur të largohem nga grupi i PS-së dhe të jem deputete e pavarur, ka qenë një vendim imi personal që t’i shkëpus komunikimet dhe marrëdhëniet me grupin e PS-së. Kjo edhe për të mbrojtur dhe respektuar vendimin tim dhe tashmë edhe pozicionin tim si pjesë e opozitës, si zë kritik ndaj qeverisë”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse gjatë kohës së shkurtër në Partinë Socialiste kishte krijuar miqësi me ndonjë prej deputetëve, Koçeku u tregua skeptike për ekzistencën e miqësive të vërteta në politikë.
Ajo theksoi se nuk ka qenë asnjëherë besuese e fortë e miqësive në këtë ambient, ndërsa koha e kufizuar që qëndroi në grupin socialist nuk i dha mundësinë të krijonte marrëdhënie të konsoliduara.
Deklaratat e Koçekut vijnë në një moment kur përplasja Rama-Veliaj po merr gjithnjë e më shumë dimensione politike, ndërsa protestat kundër qeverisë dhe pakënaqësitë brenda Partisë Socialiste mbeten faktorë që mund të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



