Shkelja e parë në transferimin e Veliajt, GJKKO vë në pikëpyetje veprimet e Burgjeve
Transferimi i Erion Veliajt drejt burgut të Fierit është përballur me konstatimin e parë gjyqësor për parregullsi në procedurë. Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka evidentuar se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka respektuar detyrimin ligjor për të vënë në dijeni gjykatën lidhur me zhvendosjen e kryebashkiakut të Tiranës.
Ky konstatim hap një tjetër front në debatin për mënyrën se si u realizua transferimi i Veliajt, të cilin ky i fundit e ka cilësuar si një “rrëmbim”.
Megjithatë, vendimi i sotëm nuk përbën një përfundim mbi paligjshmërinë e të gjithë procesit. Ai evidenton një shkelje konkrete të detyrimit për njoftim, ndërsa mbeten për t’u sqaruar edhe rrethanat e tjera të vendimmarrjes.
Në qendër të pikëpyetjeve janë baza ligjore e transferimit, autoriteti që e ka urdhëruar dhe arsyet që çuan në ekzekutimin e tij.
Çështja merr rëndësi të veçantë për shkak të pretendimeve të Veliajt për mënyrën e zhvendosjes dhe kushteve të qëndrimit në burgun e Fierit. Konstatimi i GJKKO-së shton presionin për transparencë mbi veprimet e administratës penitenciare dhe respektimin e procedurave ligjore.
Ligjshmëria e veprimeve të administratës së burgjeve nuk mund të mbetet në vullnetin e pakontrolluar të saj, por duhet t’u nënshtrohet rregullave dhe kontrollit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



