Ndarja nga jeta e avokatit Saimir Visha, reagon e pikëlluar Elsa Lila
Ndarja nga jeta e avokatit Saimir Vishaj ka shkaktuar dhimbje te familjarët dhe njerëzit që e kanë njohur. Mes reagimeve të para ka qenë edhe ai i këngëtares Elsa Lila, mbesa e tij, e cila ka ndarë lajmin e trishtë përmes një mesazhi prekës.
“Nuk mendoja kurrë që do të ndaja lajmin e ikjes tënde Daja Saimir! Me hidhërim të thellë ku presim në Funeral Alba 2000 për Përshëndetjen e fundit”, shkruan Elsa Lila.
Avokati Saimir Vishaj ndërroi jetë këtë të martë, në moshën 60-vjeçare. Ai ishte transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës të dielën, pas dyshimeve se kishte rënë nga shkallët.
Gjendja shëndetësore e tij ishte paraqitur kritike. Mjekët e kishin vendosur në intubim, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, Vishaj nuk arriti të mbijetonte.
Një karrierë gati 30-vjeçare në avokatinë shqiptare
Saimir Vishaj ishte një prej emrave të njohur të avokatisë në Shqipëri. Karrierën profesionale e kishte nisur në vitin 1996, ndërsa prej vitit 2009 drejtonte Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë viteve të aktivitetit të tij, ai kishte mbajtur edhe disa funksione të rëndësishme në strukturat e avokatisë dhe të institucioneve që lidhen me sistemin e drejtësisë. Vishaj ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi dhe i Komitetit të Disiplinës.
Në gusht të vitit 2025, avokati kishte rrëfyer publikisht një betejë të vështirë shëndetësore, duke treguar se kishte kaluar në gjendje kome dhe ishte mbajtur në intubim. Ai kishte bërë gjithashtu një ndërhyrje mjekësore në Itali.
Largimi i tij shënon humbjen e një figure të njohur të avokatisë shqiptare, ndërsa familjarët dhe të afërmit po përgatiten t’i japin lamtumirën e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




