E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Raporti i Kuvendit nxjerr zbuluar dështimin e Ligjit Anti-Mafia
Lajme

Raporti i Kuvendit nxjerr zbuluar dështimin e Ligjit Anti-Mafia

Pasuritë e konfiskuara rrezikojnë të përfundojnë sërish në duart e krimit

Një raport i kontrollit post-legjislativ të Kuvendit të Shqipërisë ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zbatohet Ligji Anti-Mafia, duke evidentuar mangësi të theksuara në gjurmimin, sekuestrimin, konfiskimin dhe administrimin e pasurive me origjinë kriminale. Gjetjet paralajmërojnë edhe një rrezik tjetër: pronat dhe asetet e sekuestruara nga shteti mund të përfundojnë sërish, në mënyrë të tërthortë, në duart e personave të lidhur me krimin e organizuar.

Dokumenti evidenton probleme që shtrihen në disa hallka të sistemit, nga mënyra e shitjes së pasurive të konfiskuara deri te mungesa e koordinimit institucional, rezultatet e kufizuara në hetimet pasurore dhe varësia nga informacionet që vijnë prej autoriteteve të huaja.

Pasuritë e konfiskuara, rreziku që të përfundojnë sërish te krimi

Një nga shqetësimet kryesore të raportit lidhet me mënyrën se si trajtohen pronat dhe asetet që kalojnë në administrimin e shtetit pas konfiskimit. Kuadri aktual ligjor i jep përparësi shitjes së tyre përmes ankandeve, me synimin për të gjeneruar të ardhura për buxhetin publik.

Por, sipas gjetjeve të raportit, mungesa e mekanizmave të mjaftueshëm për verifikimin paraprak të blerësve krijon hapësira që këto pasuri të blihen nga persona të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me subjektet ndaj të cilave janë marrë masat e konfiskimit.

Problematike paraqitet gjithashtu mungesa e një regjistri publik transparent për pasuritë e administruara, si dhe fakti që ripërdorimi i tyre për qëllime sociale nuk garantohet përmes një mekanizmi të detyrueshëm prioritar.

Në këto kushte, një pasuri e sekuestruar si rezultat i hetimeve ndaj aktivitetit kriminal rrezikon të rikthehet në të njëjtin rreth interesash, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e vetë procesit të konfiskimit.

Shumë dënime për korrupsion, por vetëm një procedim pasuror

Një tjetër problem i evidentuar është hendeku mes numrit të personave të dënuar për korrupsion dhe rezultateve konkrete në drejtim të goditjes së pasurive të tyre.

Raporti sjell në vëmendje se gjatë periudhës 2021-2025 janë regjistruar dhjetëra dënime për zyrtarë të përfshirë në korrupsion, vetëm në Gjykatën e Posaçme, në bazë të nenit 259 të Kodit Penal.

Megjithatë, përdorimi i mekanizmave të Ligjit Anti-Mafia për hetimin dhe goditjen e pasurive të lidhura me këto vepra penale rezulton tejet i kufizuar. Sipas dokumentit, është evidentuar vetëm një procedim pasuror për veprat e korrupsionit.

Kjo mospërputhje ngre pikëpyetje mbi aftësinë e institucioneve për të ndjekur gjurmët financiare të korrupsionit dhe për të goditur përfitimet ekonomike që burojnë nga abuzimi me detyrën publike.

Gjykatat e rretheve jashtë procesit, asnjë kërkesë për konfiskim

Raporti evidenton gjithashtu një përqendrim të theksuar të zbatimit të Ligjit Anti-Mafia në strukturat e posaçme, ndërsa gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm rezultojnë praktikisht jashtë këtij mekanizmi.

Nga tetë gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të konsultuara, asnjëra nuk ka raportuar kërkesa për sekuestrim apo konfiskim pasuror në bazë të këtij ligji.

Kjo tablo tregon një zbatim të pabarabartë të instrumenteve ligjore në territor dhe ngre shqetësimin për mungesën e një angazhimi më të gjerë të strukturave vendore të drejtësisë në identifikimin dhe goditjen e pasurive me origjinë kriminale.

55% e hetimeve nisin nga informacionet e autoriteteve të huaja

Një tjetër e dhënë domethënëse lidhet me burimin e informacionit që vë në lëvizje hetimet pasurore për veprat e trafikut të narkotikëve.

Sipas raportit, rreth 55% e procedimeve pasurore që lidhen me veprat penale të parashikuara nga nenet 283, 283/a dhe 284/a të Kodit Penal janë iniciuar mbi bazën e informacioneve dhe indicieve të përcjella nga autoritetet e huaja.

Kjo varësi nxjerr në pah vështirësitë e institucioneve shqiptare për të identifikuar në mënyrë të pavarur pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal. Informaliteti ekonomik dhe vështirësitë në gjurmimin e transaksioneve financiare konsiderohen ndër faktorët që pengojnë hetimet vendase.

Procedura autonome mbetet më shumë në letër

Edhe pse Ligji Anti-Mafia parashikon mundësinë e zhvillimit të procedurave pasurore të pavarura nga procesi penal, zbatimi praktik nuk duket se e ka vënë në funksion këtë instrument.

Raporti konstaton se në të gjitha rastet e identifikuara, procedimet pasurore janë zhvilluar në lidhje me një procedim penal ekzistues ose me vendime të mëparshme penale.

Kjo do të thotë se mekanizmi i procedurës autonome, i cili duhet t’u japë institucioneve mundësi më të gjera për të ndërhyrë ndaj pasurive të dyshimta, nuk është shfrytëzuar në praktikën e evidentuar.

Kriptovalutat dhe asetet virtuale, një tjetër pikë e dobët e institucioneve

Problemet nuk kufizohen vetëm te administrimi i pronave tradicionale apo gjurmimi i llogarive bankare. Raporti evidenton edhe mangësi teknologjike dhe institucionale përballë formave të reja të fshehjes dhe transferimit të pasurisë.

Institucionet përballen me vështirësi në sigurimin e të dhënave bankare në kohë reale, mungesë të sistemeve të unifikuara statistikore, përfshirë sistemin CAMS, si dhe mungesë të një mekanizmi të posaçëm shtetëror për administrimin e aseteve virtuale dhe kriptovalutave.

Këto boshllëqe rrezikojnë të krijojnë terren të favorshëm për fshehjen e pasurive dhe shmangien e gjurmimit financiar, veçanërisht në kushtet kur format e investimit dhe transferimit të kapitalit po bëhen gjithnjë e më komplekse.

Në tërësi, kontrolli post-legjislativ i Kuvendit evidenton një sërë dobësish në zbatimin e një prej instrumenteve kryesore të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga rreziku i rikthimit të pronave të konfiskuara te mungesa e hetimeve të pavarura dhe varësia nga informacionet e huaja, gjetjet ngrenë pikëpyetje mbi rezultatet konkrete të politikës shtetërore për goditjen e pasurive të paligjshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.