Zbardhet lista e 31 të pandehurve në dosjen “Balluku” dhe akuzat ndaj tyre
5 ndërtues, 2 firma private dhe 9 tendera në hetim!
Dosja hetimore e SPAK për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku ka marrë përmasa të gjera, duke përfshirë 31 të pandehur, mes tyre ish-zyrtarë të administratës, biznesmenë dhe kompani private. Në qendër të hetimit janë nëntë procedura tenderimi, për të cilat prokuroria dyshon se janë cenuar rregullat e konkurrencës dhe barazia mes operatorëve ekonomikë.
Mes personave të marrë të pandehur rezultojnë edhe pesë sipërmarrës të sektorit të ndërtimit: Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci. Në listën e të pandehurve janë përfshirë gjithashtu dy kompani private, ndërsa akuzat ndryshojnë sipas rolit që dyshohet se ka pasur secili në procedurat e hetuara.
Një prej episodeve që spikat në dosje lidhet me ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas dokumentacionit hetimor, kompania “Alko Impex General Construction”, në pronësi të biznesmenit Arbër Abazi, ka përfituar kontratën në bashkëpunim me kompaninë “2T”, të lidhur me Artan Sakon.
Abazi përballet me akuzën e korrupsionit aktiv dhe falsifikimit të dokumenteve. Sipas dyshimeve të ngritura nga SPAK, për të siguruar favorizimin në tender, ai i ka dhënë Belinda Ballukut një vilë në zonën bregdetare të Palasës. Për këtë episod, hetuesit kanë përfshirë në dosje edhe dyshimet për përfitimin e paligjshëm të pasurisë.
Në të njëjtën procedurë, Artan Sako akuzohet për falsifikim dokumentesh, ndërsa kompania “Alko Impex General Construction” është marrë e pandehur për korrupsion aktiv.
Një tjetër kontratë e hetuar është ajo e Lotit 5 të Unazës së Madhe, e fituar nga kompania G.P.G. COMPANY, në pronësi të Paqsor Buzit. Edhe ky i fundit është marrë i pandehur për falsifikim dokumentesh.
Emri i biznesmenit Ram Geci shfaqet në hetimet për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës”, Loti 3, një kontratë me vlerë rreth 14 milionë euro. Edhe ai akuzohet për falsifikim dokumentesh, në kuadër të dyshimeve për parregullsi në procedurën e prokurimit.
Vila në Dhërmi dhe dyshimet për pastrim parash
Një tjetër linjë e rëndësishme e hetimit lidhet me pronat e paluajtshme që dyshohet se kanë përfituar persona të lidhur me ish-zëvendëskryeministren.
Biznesmeni Pandeli Carapuli dhe kompania e tij janë marrë të pandehur për pastrim parash, në lidhje me vilën në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi. Sipas të dhënave të dosjes, kjo pronë është një tjetër nga asetet që po verifikohen në kuadër të hetimeve për pasurinë e Ballukut.
Ndryshe nga rasti i Arbër Abazit, Carapuli nuk akuzohet për korrupsion aktiv, pasi vepra penale përkatëse konsiderohet e parashkruar. Bëhet fjalë për një procedurë tenderimi të zhvilluar gjatë kohës kur Balluku drejtonte Albcontrol, e cila nuk është përfshirë në listën e nëntë episodeve të shkeljes së barazisë në tendera, për shkak të parashkrimit të akuzave.
Në dosje figuron edhe Igli Tare, i marrë i pandehur për pastrim parash në dy raste, ndërsa Joana Bushi përballet me të njëjtën akuzë.
Tuneli i Llogorasë dhe Unaza e Madhe, në fokusin e hetimeve të SPAK
Përveç sipërmarrësve privatë, një pjesë e konsiderueshme e të pandehurve janë ish-drejtues dhe punonjës të administratës publike, të cilët kanë pasur funksione në institucionet përgjegjëse për procedurat e tenderimit.
Një nga kontratat më të rëndësishme të hetuara është ajo për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë, ku dyshimet e SPAK nuk kufizohen vetëm te shkelja e barazisë në tendera, por përfshijnë edhe shpërdorimin e detyrës.
Në këtë episod janë përfshirë ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi, si dhe ish-drejtues të tjerë të strukturave përgjegjëse, mes tyre Ergys Verdho dhe Anila Sulollari.
Një emër tjetër që spikat është Ervis Berberi, i cili përballet me nëntë akuza për shkelje të barazisë në tendera, duke u lidhur me të gjitha procedurat e përfshira në hetim.
Ndërkohë, ish-drejtuesit Gentian Gjyli dhe Erald Elezi janë gjithashtu pjesë e listës së personave të marrë të pandehur. Sipas ndarjes së akuzave në dosje, Gjyli përballet me akuza për shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre, ndërsa Elezi për shkelje në tri procedura.
Lista e 31 të pandehurve dhe akuzat në dosjen Balluku
Sipas të dhënave të bëra publike për dosjen, personat dhe subjektet e marra të pandehura, së bashku me akuzat përkatëse, janë:
- Belinda Balluku – Shkelje e barazisë në nëntë tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
- Pandeli Carapuli – Pastrim parash.
- Igli Tare – Pastrim parash në dy raste.
- Joana Bushi – Pastrim parash.
- Arbër Abazi – Korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh.
- Alko Impex General Construction – Korrupsion aktiv.
- Viola Haxhiademi – Shpërdorim detyre në procedurën e Tunelit të Llogorasë.
- Ergys Verdho – Shpërdorim detyre në procedurën e Tunelit të Llogorasë.
- Adja Strazimiri – Shpërdorim detyre dhe shkelje në tendera.
- Anila Sulollari – Shpërdorim detyre në procedurën e Tunelit të Llogorasë.
- Paqsor Buzi – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
- Artan Sako – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
- Ram Geci – Falsifikim dokumentesh në disa raste.
- Eurocol sh.p.k. – Pastrim parash.
- Ervis Berberi – Shkelje të barazisë në nëntë tendera.
- Gentian Gjyli – Shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre.
- Erald Elezi – Shkelje në tri tendera.
- Jetmira Dervishi – Shkelje në tendera.
- Mirzeta Kashnica – Shkelje në tendera.
- Jonida Çeçe – Shkelje në tri tendera.
- Adrian Kroi – Shkelje në katër tendera dhe shpërdorim detyre.
- Denis Xhoshi – Shkelje në tri tendera.
- Klarita Konomi – Shkelje në një tender.
- Miranda Shkurti – Shkelje në tetë tendera.
- Genti Raça – Shkelje në pesë tendera dhe shpërdorim detyre.
- Eduart Agalliu – Shkelje në një tender.
- Arbër Troka – Shkelje në dy tendera.
- Dhurata Lazaj – Shkelje në tri tendera.
- Nikollaq Mihali – Shkelje në tri tendera.
- Gëzim Noni – Shkelje në tri tendera.
- Arlinda Gordani – Shkelje në katër tendera.
Dosja e SPAK përfshin kështu një numër të konsiderueshëm zyrtarësh dhe sipërmarrësish, ndërsa në qendër të hetimit qëndrojnë nëntë procedurat e prokurimit, për të cilat dyshohet se janë manipuluar në favor të operatorëve të caktuar ekonomikë.
Nga Unaza e Madhe e Tiranës te Tuneli i Llogorasë dhe rruga Porto Romano-Durrës, hetimet prekin disa prej investimeve më të mëdha publike të viteve të fundit. Krahas dyshimeve për shkelje në tendera, prokuroria po ndjek edhe gjurmën e pasurive dhe transaksioneve që dyshohet se lidhen me përfitimet e paligjshme.
Të gjithë personat e përfshirë gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



