Vrasja në Bulqizë, zhduken pamjet e 3 kamerave në shtëpinë e viktimës
Dyshimet rëndojnë mbi djalin dhe bashkëshorten e viktimës
Detaje të reja po dalin nga hetimet për vrasjen e 61-vjeçarit Urim Fiku në Bulqizë, ku të dyshuar për përfshirje janë djali i tij, Gazmir Fiku, 33 vjeç, dhe bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, 57 vjeçe.
Një prej elementeve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është mungesa e pamjeve filmike nga sistemi i kamerave të sigurisë në banesën ku ndodhi krimi. Policia ka sekuestruar pajisjen DVR, e cila ishte e lidhur me tri kamera të instaluara në shtëpi, por gjatë kontrollit fillestar nuk janë konstatuar regjistrime.
Pajisja DVR nën ekspertim, synohet rikuperimi i pamjeve
Sipas të dhënave të bëra publike nga gazetari Elton Qyno, pamjet filmike dyshohet se janë fshirë nga pajisja përmes telefonit të Gazmir Fikut. Për këtë arsye, Policia e Dibrës ka kërkuar një ekspertim kompjuterik të DVR-së, me qëllim verifikimin nëse regjistrimet mund të rikuperohen.
Rikthimi i mundshëm i pamjeve mund të ndihmojë hetuesit të rindërtojnë lëvizjet dhe ngjarjet e ndodhura në banesë përpara dhe gjatë krimit.
Dyshimet për një konflikt të lidhur me jetën sentimentale
Një tjetër pistë që po shqyrtohet lidhet me një konflikt të mundshëm brenda familjes, që dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga xhelozia e djalit dhe bashkëshortes së viktimës për një lidhje të pretenduar sentimentale të Urim Fikut.
Megjithatë, motivi i krimit nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetet pjesë e hetimit.
Në pranga janë vënë Gazmir Fiku dhe Sadete Fiku. Sipas të dhënave të bëra publike, 33-vjeçari punonte prej më shumë se një dekade si supervizor pranë OSHEE-së.
Policia dyshon se nënë e bir kanë vepruar në bashkëpunim për vrasjen e 61-vjeçarit dhe më pas kanë tentuar të fshehin rrethanat e ngjarjes, duke e paraqitur fillimisht vdekjen si pasojë të një sulmi nga ariu.
Në njoftimin zyrtar, policia lokale deklaroi:
“Gazmir Fiku, djali i të ndjerit Urim Fiku dhe Sadete Fiku, gruaja e viktimës, u ndaluan pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri dhe mjete të forta prerëse 61 vjeçarin”.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e vrasjes, motivin dhe rolin që dyshohet se ka pasur secili prej të ndaluarve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



