E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj “fëlliq” keq Ramën: Je bërë si Enveri, shpik armiq të brendshëm!
Lajme

Veliaj “fëlliq” keq Ramën: Je bërë si Enveri, shpik armiq të brendshëm!

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po merr përmasa të reja, me këtë të fundit që ka zgjedhur një gjuhë të ashpër ironie dhe akuzash ndaj kreut të qeverisë. Në një tjetër reagim të publikuar nga burgu i Fierit, Veliaj mohon kategorikisht çdo përfshirje në organizimin apo financimin e protestave studentore dhe lëvizjes së njohur si “Flamingot”, ndërsa e krahason mënyrën e veprimit të Ramës me atë të regjimit të Enver Hoxhës.

Duke iu përgjigjur pretendimeve për përfshirjen e tij në protestat kundër qeverisë, Veliaj thotë se është absurde të akuzohet për organizim të veprimtarive të tilla ndërkohë që ndodhet në burg. Ai ironizon edhe përmendjen e veprave penale si terrorizmi apo përpjekja për përmbysjen e rendit kushtetues, duke e konsideruar këtë retorikë si një përpjekje për të krijuar një armik të brendshëm.

“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm”, shprehet Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku i Tiranës i kujton Ramës periudhën kur, sipas tij, Bashkia e Tiranës përballej me sulme dhe akte dhune, ndërsa ai nuk e akuzonte kryeministrin për organizimin e tyre. Ai e përdor këtë argument për të vënë në pikëpyetje logjikën e akuzave që, sipas tij, po ngrihen sot ndaj tij.

“Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”, shkruan ai në reagimin e tij.

Veliaj: Kam bërë vetëm dy postime politike, për Thaçin dhe Vuçiçin

Një tjetër pikë ku Veliaj ndalet është aktiviteti i tij publik gjatë muajve të burgimit. Ai pretendon se ka publikuar vetëm dy reagime me karakter politik: një në mbështetje të Hashim Thaçit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një tjetër lidhur me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, ndërkohë që nuk ka pasur komunikim me drejtuesit e qeverisë për rreth 20 muaj, tani ata janë përqendruar te postimet e tij dhe kushtet e qëndrimit në burg.

“Bëra dy postime politike vetëm – 1 për Hashën dhe UÇK + 1 për Vuçiçin. Nuk flisni me mua 20 muaj e ju kap tartakuti e merreni me birucat. I qëndroj postimeve, ju merruni me birucat”, deklaron Veliaj.

Ai i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit, duke theksuar se nuk do të tërhiqet përballë asaj që e konsideron presion dhe intimidim politik.

“Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni”, përfundon reagimin e tij.

Përplasja shtrihet edhe te drejtimi i Bashkisë së Tiranës

Në bisedën me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të zhvilluar në burgun e Fierit, Veliaj nuk është ndalur vetëm te protestat. Ai ka hedhur akuza edhe për mënyrën se si Rama ka ndërhyrë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke pretenduar se socialistët që kontribuuan ndër vite për Partinë Socialiste janë lënë mënjanë dhe janë zëvendësuar me persona të ardhur nga kampi i Sali Berishës.

Veliaj përmend disa emra, mes tyre Etleva Kondi, Sadi Vorpsi dhe Sara, për të cilët thotë se kanë pasur kontribute në PS dhe në Bashkinë e Tiranës.

Ai kritikon gjithashtu promovimin e personave që, sipas tij, vijnë nga radhët e kundërshtarëve politikë, duke përdorur një gjuhë veçanërisht të ashpër ndaj këtij fenomeni.

“PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS. Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më”, citohet të ketë thënë Veliaj.

Kështu, nga mohimi i lidhjeve me protestat studentore, te akuzat për krijimin e një “armiku të brendshëm” dhe kritikat për emërimet në Bashkinë e Tiranës, reagimet e Veliajt zbulojnë një tjetër front të përplasjes së tij me Edi Ramën.

Një konflikt që tashmë nuk kufizohet vetëm te drejtimi i kryeqytetit, por është shndërruar në një përballje të hapur politike, ku akuzat, ironitë dhe mesazhet nga burgu po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.