Tragjedia në Elbasan, shuhen shpresat për 69-vjeçarin nën rrënoja
Komandanti i Emergjencave Civile: Ka pak gjasa që të gjendet i gjallë
Operacioni i kërkim-shpëtimit në pallatin e shkatërruar nga shpërthimi i fuqishëm në Elbasan vijon, por shpresat për gjetjen e 69-vjeçarit Hamit Ibro të gjallë po zbehen.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra, i cili ka dhënë një përditësim shqetësues mbi ecurinë e kërkimeve. Sipas tij, sinjalet e marra nga kamerat termike të përdorura gjatë operacionit tregojnë se mundësitë që 69-vjeçari të jetë ende gjallë janë shumë të pakta.
16 efektivë në terren, operacioni me rrezikshmëri të lartë
Kolonel Gurra bëri të ditur se në zonë po punojnë dy ekipe kërkim-shpëtimi, me gjithsej 16 persona dhe pajisjet e nevojshme për ndërhyrjen.
Megjithatë, gjendja e godinës së shkatërruar e bën operacionin veçanërisht të rrezikshëm për punonjësit e emergjencave. Strukturat janë duke vepruar me masa të rrepta sigurie, ndërsa kërkimet do të vijojnë deri në përfundimin e tyre.
“Në terren janë dy ekipe kërkim shpëtimi, 16 persona me të gjitha mjetet e nevojshme.
Operacioni paraqet rrezikshmëri shumë të lartë pasi godina është tërësisht e shkatërruar.
Do të vijojmë kërkimet deri në fund duke ruajtur të gjithë parametrat e sigurisë për punonjësit tanë.
Nga kamerat termike që kemi përdorur, ka shumë pak gjasa që 69-vjeçari Hamit Ibro të gjendet i gjallë.
Jemi duke kërkuar në pjesën e godinës ku sipas informacioneve të familjarëve dhe strukturave vendore, mendohet të ketë qenë personi”, u shpreh Gurra.
Ekipet po përqendrohen në pjesën e ndërtesës ku, bazuar në informacionet e familjarëve dhe strukturave vendore, dyshohet se ndodhej Hamit Ibro në momentin e shpërthimit.
Ndërhyrja vijon mes rrënojave të pallatit, ndërsa autoritetet synojnë të përfundojnë kërkimet pa rrezikuar jetën e efektivëve të angazhuar në operacion.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



