U kap me pistoletë në mjet, arrestohet 49-vjeçari në Rrugën e Elbasanit
Një 49-vjeçar është arrestuar në Tiranë gjatë operacionit policor të koduar “Eksponenti”, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri me municion, ndërsa lëvizte me motomjet në Rrugën e Elbasanit.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për shtetasin me inicialet E. D., banues në Tiranë, i cili rezulton me precedentë të theksuar kriminalë për vepra kundër jetës dhe armëmbajtje pa leje.
Ndalimi i tij u krye nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Ndërhyrja erdhi pas administrimit të informacioneve të siguruara gjatë punës operative.
Gjatë kontrollit të motomjetit me të cilin udhëtonte 49-vjeçari, efektivët gjetën një pistoletë së bashku me municion. Sipas dyshimeve të hetuesve, arma mund të ishte destinuar për trafikim.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku policia zbuloi dhe sekuestroi një jelek antiplumb.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta me municion, jeleku antiplumb, motomjeti që përdorej për transportin e armës dhe telefoni celular i të arrestuarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore dhe ligjore. Hetimet do të përcaktojnë origjinën e armës dhe destinacionin e saj të mundshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



