Erjon Vishkulli drejt operacionit të tretë në Romë, 11 nëntori vendimtar për shikimin e tij
Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestave në Tiranë, do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në Itali. Operacioni është planifikuar për datën 11 nëntor në spitalin “Gemelli” në Romë dhe konsiderohet një moment vendimtar për shpresat e tij për të rikuperuar shikimin.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vishkulli përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ku ka ndarë me ndjekësit zhvillimet e fundit mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe sfidën e radhës që e pret.
Kjo do të jetë ndërhyrja e tretë kirurgjikale për të riun, i cili po përpiqet të rikuperohet nga dëmtimi i rëndë i pësuar gjatë protestave. Operacionin e parë e kreu në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa ndërhyrjen e dytë në spitalin “Gemelli”, në kryeqytetin italian.
Për trajtimin e tij jashtë vendit, qeveria shqiptare ka akorduar një fond prej 5 milionë lekësh të rinj, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për kujdesin mjekësor.
11 nëntori, një tjetër shpresë për rikthimin e shikimit
Në mesazhin e tij, Vishkulli e përshkruan ndërhyrjen e ardhshme si një prej sfidave më të mëdha me të cilat është përballur. Ai shpreh shpresën se operacioni do të ketë rezultat pozitiv, duke falënderuar njëkohësisht të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Për të gjithë ata që më kanë pyetur dhe janë interesuar për gjendjen time, ju informoj se më datë 11 nëntor do t’i nënshtrohem një tjetër operacioni në spitalin Gemelli në Romë. Ky do të jetë operacioni vendimtar për shikimin tim, një sfidë shumë e madhe në jetën time. Me besimin te Zoti, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Falënderimet nga zemra të gjithëve për mbështetjen, mesazhet dhe lutjet!”, shkruan ai.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te ndërhyrja e 11 nëntorit, nga e cila 28-vjeçari shpreson të marrë lajmin që pret prej ditës kur mbeti i plagosur në protestë: rikthimin e shikimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



