E enjte, 5 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama kërcënon studentët në sy të Ambasadores se BE-së: I kanë bërë llogaritë gabim me mua!
Lajme

Rama kërcënon studentët në sy të Ambasadores se BE-së: I kanë bërë llogaritë gabim me mua!

Kryeministri zbulon skemën sesi ka tentuar t’i përçajë: Do vinin në takim pa kamera, pa foto, pa njoftim

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar gjuhën ndaj protestuesve që prej ditësh kërkojnë largimin e tij nga pushteti, duke paralajmëruar ndëshkime penale dhe administrative për personat që marrin pjesë në tubime, godasin efektivët e policisë apo bllokojnë rrugët.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama nuk u mjaftua me paralajmërimet ndaj protestuesve, por zbuloi edhe një tjetër nismë të qeverisë: hapjen e një platforme të re dialogu me studentët dhe qytetarët që dëshirojnë të diskutojnë drejtpërdrejt me të dhe përfaqësuesit e kabinetit.

Me tone të forta, kryeministri deklaroi se ata që mendojnë se mund ta trembin përmes protestave, presionit apo dhunës kanë bërë llogari të gabuara.

“Unë nuk jam më as student dhe as pedagog, por vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe ku, bashkë me studentët, kam dalë kundër një regjimi real dhe jo një regjimi imagjinar, vetëm për një arsye: për të qenë i lirë. Kush mendon se me trembje, frikë apo dhunë do të ketë impakt tek unë, i ka bërë llogaritë gabim. Dhe do ta marrë përgjigjen edhe penalisht, edhe administrativisht, si ata që ngrenë dorën kundër policisë, ashtu edhe ata që bllokojnë rrugët”, deklaroi Rama.

Gjatë kësaj daljeje publike, kryeministri nuk u ndal te kritikat për përdorimin e forcës policore ndaj protestuesve, ndërsa theksi i deklaratave të tij ishte te masat që, sipas tij, do të ndërmerren ndaj pjesëmarrësve në tubime.

Rama pranon kontaktet me tre grupe studentësh: Do të takoheshim pa kamera, pa foto dhe pa njoftim

Një nga deklaratat që tërhoqi vëmendje ishte ajo për përpjekjet e tre grupeve të studentëve për t’u takuar me kryeministrin. Rama pretendoi se këto grupe janë tërhequr pas presioneve dhe intimidimit nga persona që ai i cilësoi si “pseudo-studentë”.

Sipas versionit të tij, takimet ishin parashikuar të zhvilloheshin në mënyrë diskrete, pa praninë e kamerave, pa fotografi dhe pa njoftime për mediat, me synimin për të zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë.

Kryeministri pretendoi se identitetet e studentëve ishin bërë publike dhe se ata ishin përballur me sulme e bullizim, si në rrjetet sociale, ashtu edhe fizikisht.

“Një dritare dialogu për studentët që kërcënohen nga ata pseudo-studentë që shfaqen në dyert e auditoreve dhe çojnë mesazhe të dhunshme ndaj kujtdo që mendon ndryshe apo që guxon të hedhë hapin drejt dialogut.

Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë, online dhe offline, nga këta pseudo-studentë, në përpjekjen e tyre për të ardhur në një takim me mua, pa kamera, pa foto dhe pa njoftim për shtyp, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh, me emra dhe mbiemra të dekonspiruar, dreqi e merr vesh se si, dhe të bullizuar në ekstrem”, u shpreh Rama.

Në vijim, ai njoftoi se qeveria do të hapë një platformë të re komunikimi, përmes së cilës studentët dhe qytetarët do të kenë mundësi të ndërveprojnë me të dhe institucionet qeveritare.

“Nesër ne do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, një dritare dialogu që u ofrohet atyre që duan të ndërveprojnë me mua dhe me qeverinë për çështje me rëndësi”, deklaroi kryeministri.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur studentët vijojnë protestat kundër qeverisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Pretendimi i Ramës për tre grupe që kanë kërkuar takim me të dhe janë tërhequr pas presioneve ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të funksionojë kjo nismë e re e dialogut dhe nëse ajo do të sjellë një zgjidhje konkrete për kërkesat e studentëve protestues.

Rama: Dorëheqjen nuk ma imponon rruga, protestat po largojnë vëmendjen nga integrimi në BE

Në të njëjtën konferencë, kreu i qeverisë iu rikthye kërkesave për dorëheqjen e tij, duke këmbëngulur se një vendim i tillë nuk mund të diktohet përmes protestave.

Rama e lidhi situatën politike në vend me procesin e integrimit europian, duke argumentuar se Shqipëria duhet të përqendrohet te objektivi për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027.

Ai i cilësoi molotovët, gurët dhe thirrjet kundër qeverisë si veprime që, sipas tij, shpërqendrojnë vëmendjen nga ky objektiv.

“Në asnjë rast dorëheqja e kryeministrit të zgjedhur demokratikisht dhe në kontratë me popullin nuk imponohet nga rruga. Në rastin tim ka edhe një specifikë tjetër, është raporti. Kilometri i fundit i negociatave është i ndarë në 1 mijë metra dhe çdo metër është i ndarë në 100 centimetra. Çdo centimetër do njeriun mbi kokë, do të bësh detyrën përkatëse, sepse këtu është e shkruar mbyllja e negociatave në 2027, objektiv ambicioz që arrihet duke u fokusuar çdo centimetër, jo të humbin mendjen pas këngëve kërcënuese, molotovëve, gurëve dhe agjendave që nuk kanë lidhje fare me këtë mision kombëtar”, u shpreh Rama.

Rama përmend Iranin: Duart e tij janë në bulevard dhe ka fakte

Një tjetër pjesë e deklaratave të kryeministrit lidhej me pretendimet për ndërhyrjen e aktorëve të huaj në protestat kundër qeverisë.

Rama përmendi Iranin, duke pretenduar se ka prova për përfshirjen e strukturave të lidhura me këtë shtet në zhvillimet e fundit. Ai sqaroi se nuk ka deklaruar se protestat janë organizuar nga Teherani, por këmbënguli se ndikimi i tij, sipas pretendimeve të qeverisë, është i pranishëm.

“Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre në protestë është reale. Nuk isha unë apo një përfaqësues shqiptar, por një nga personalitetet e Francës që para pak ditësh tha shprehimisht që Shqipëria ka qenë pjesë e një lufte hibride. Nuk kam thënë kurrë që protestat i organizoi Irani, por duart e tij janë në bulevard dhe janë me fakte”, deklaroi Rama.

Në vijim, ai pretendoi se një strukturë digjitale iraniane, të cilën e përshkroi si aktive në shpërndarjen e videove me zogj, ishte angazhuar edhe në sulme ndaj Parisit.

“Çuditërisht, ushtria digjitale iraniane, e identifikuar si shumë aktive në shpërndarjen e videove me zogj, u shfaq aktive në goditjen që iu bë Parisit. Këto janë fakte”, tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë dhe kërkesa kryesore e demonstruesve mbetet dorëheqja e tij. Kryeministri, nga ana tjetër, refuzon mundësinë e largimit nga detyra, paralajmëron pasoja ligjore për protestuesit, akuzon për ndikim të huaj dhe prezanton një platformë të re dialogu me studentët.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.