Plani për vrasjen e Vis Martinajt, SPAK kërkon 16 vite burg për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin, të cilët akuzohen për përfshirje në sigurimin e kushteve dhe mjeteve të nevojshme për realizimin e planeve të vrasjes së Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, SPAK ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për Leonard Dukën, ndërsa për Drianto Bardhin është kërkuar një dënim prej 6 vitesh heqje lirie. Të dy të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë, duke krijuar kushtet dhe siguruar mjetet për realizimin e atentateve të planifikuara gjatë periudhës qershor-shtator 2020.
Sipas organit të akuzës, këto veprime janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që dyshohet se drejtohej nga Leonard Duka. Pretenca lidhet me një prej episodeve të dosjes së gjerë hetimore të njohur si “Revanshi”, ku janë dokumentuar përplasjet dhe planet kriminale mes grupeve rivale.
Një rol të rëndësishëm në hetimin e kësaj dosjeje kanë pasur komunikimet e zbërthyera nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC. Analizimi i mijëra mesazheve ka ndihmuar hetuesit të identifikojnë biseda, koordinime dhe episode të ndryshme që lidhen me aktivitetin e grupeve kriminale, përfshirë edhe planet për eliminimin fizik të personave të caktuar.
Dy emrat që qëndrojnë në qendër të kësaj çështjeje janë Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasi. Martinaj rezulton i zhdukur që prej gushtit 2022, ndërsa Mihasi u vra në një atentat të ndodhur në Tiranë.
Për Leonard Dukën, kjo nuk është çështja e parë me një dënim të rëndë në dosjet e përplasjes mes grupeve kriminale. Ai është dënuar më herët me 30 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i konsideruar si një prej personave të afërt me Ervis Martinajn.
Duka u shpall fajtor për organizimin e ekzekutimit të Malkos, i cili u vra në gusht të vitit 2019. Ndërkohë, pretenca e fundit e SPAK për planet e dyshuara ndaj Martinajt dhe Mihasit përbën një tjetër kapitull të hetimeve mbi përplasjet kriminale dhe organizimin e atentateve mes grupeve rivale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



