Torturuan studentët në protesta, Serbia nis arrestimin e policëve
Autoritetet serbe kanë nisur të mbajnë përgjegjës efektivët e policisë të dyshuar për dhunën e ushtruar ndaj studentëve gjatë protestave antiqeveritare në Beograd. Tetë punonjës policie dhe një ish-efektiv janë ndaluar, nën dyshimin për abuzim me detyrën dhe torturë ndaj personave të ndaluar gjatë demonstratave të vitit të kaluar.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Brendshme e Serbisë, e cila konfirmoi se ndalimet u kryen të mërkurën. Nëntë personat dyshohen për përfshirje në akte dhune dhe trajtim çnjerëzor ndaj protestuesve, ndërsa çështja lidhet me një episod të ndodhur në Beograd gjatë natës mes 14 dhe 15 gushtit 2025.
Sipas materialeve të hetimit, ngjarja ka ndodhur në garazhin e një ndërtese qeveritare, ku disa persona të ndaluar dyshohet se janë përballur me dhunë fizike dhe kërcënime nga efektivët që ndodheshin në shërbim.
Policët akuzohen se kanë përdorur forcën për t’u shkaktuar viktimave dhimbje dhe vuajtje të rënda, me qëllim sigurimin e informacioneve, frikësimin dhe ndëshkimin e tyre në mënyrë të paligjshme.
Mes personave të ndaluar raportohet edhe Igor Žmirić, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë. Emri i tij ishte përmendur më herët nga aktivistja studentore Nikolina Sinđelić, e cila e kishte akuzuar se e kishte goditur me shkelma ndërsa ajo ndodhej e shtrirë në dyshemenë e garazhit.
Të nëntë të dyshuarit janë vendosur në ndalim për 48 orë dhe pritet të paraqiten përpara prokurorisë, ku do të vijojë procedura për vlerësimin e përgjegjësisë së tyre penale.
Protestat që tronditën Serbinë
Lëvizja studentore në Serbi shpërtheu në fund të vitit 2024, pas tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad, ku shembja e një strehe betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave.
Ngjarja nxiti një valë të gjerë pakënaqësie dhe demonstratash në të gjithë vendin. Studentët kërkuan zbardhjen e plotë të përgjegjësive për tragjedinë, luftën kundër korrupsionit dhe llogaridhënie nga institucionet shtetërore.
Gjatë muajve të protestave, demonstruesit ngritën vazhdimisht akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia, keqtrajtim dhe dhunë ndaj personave të ndaluar.
Arrestimi i tetë efektivëve dhe një ish-punonjësi të policisë shënon një zhvillim të rëndësishëm në hetimin e këtyre episodeve, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te procedurat e drejtësisë dhe përgjegjësia e zinxhirit komandues të policisë serbe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



