E enjte, 5 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prej 6 vitesh në Hagë, Hashim Thaçi: Do dal i pastër si loti!
Lajme

Prej 6 vitesh në Hagë, Hashim Thaçi: Do dal i pastër si loti!

Gjashtë vite pas dërgimit në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcjellë një mesazh përmes të cilit shpreh bindjen se në përfundim të procesit gjyqësor do të dalë i pastër nga akuzat.

Përmes një deklarate të publikuar këtë të enjte, më 5 nëntor, Thaçi iu drejtua njerëzve që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke shprehur dëshirën për t’i takuar dhe për t’u dhënë garanci se beson në pafajësinë e tij.

“Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dalë me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi, që vazhdon me ju dhe për ju”, shkruan Thaçi.

Gjashtë vite nga transferimi në Hagë

Më 4 dhe 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tyre.

Të katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 dhe zgjati më shumë se tre vite, deri në shpalljen e vendimit të shkallës së parë.

25 vite burg për Thaçin, 18 për Veselin dhe 13 për Selimin

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën vendimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.

Trupi gjykues i shpalli të katërt përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Në të njëjtin vendim, ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Vendimi është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë ta ankimojnë.

Mesazhi i fundit i Thaçit vjen në një moment të rëndësishëm të këtij procesi, pas një vendimi të rëndë gjyqësor, por edhe në kushtet kur ish-presidenti vijon të shprehë publikisht bindjen se në fund të rrugëtimit juridik do të dalë i pafajshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.