Apartamente në vend të pagesave, Prokuroria çmonton skemën e italianit në Tiranë
Skandali me “Euro Beton 2005”, sekuestrohen 10 milionë euro pasuri
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim administratorin italian të kompanisë “Euro Beton 2005”, shtetasin me inicialet G.T., si dhe vetë shoqërinë tregtare, nën dyshimet për përfshirje në një skemë mashtrimi, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Në kuadër të këtij hetimi janë vendosur nën sekuestro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 10 milionë euro.
Sipas organit të akuzës, hetimet disa mujore, të zhvilluara edhe përmes metodave speciale, kanë zbuluar dyshime për një mekanizëm të mirëorganizuar për përfitimin e lëndëve të para nga subjekte të ndryshme ekonomike, pa shlyer më pas detyrimet ndaj furnitorëve.
Skema e dyshuar funksiononte përmes premtimeve për pagesa ose kompensimin e furnizimeve me apartamente. Megjithatë, pasi përfitonte materialet, kompania dyshohet se mohonte furnizimet e kryera dhe detyrimet financiare që rridhnin prej tyre.
Lëndët e para të siguruara në këtë mënyrë përdoreshin për prodhimin dhe tregtimin e betonit. Prokuroria dyshon se një pjesë e furnizimeve nuk regjistrohej në mënyrë të rregullt në dokumentacionin fiskal, ndërsa shitja e produktit përfundimtar shërbente për fshehjen e të ardhurave dhe legalizimin e përfitimeve të paligjshme.
Pas përfundimit të hetimeve në kuadër të procedimit penal nr. 1718 të vitit 2026, G.T. dhe shoqëria “Euro Beton 2005” janë marrë të pandehur për veprat penale të mashtrimit, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, të parashikuara përkatësisht nga nenet 143/3, 180/3 dhe 287 të Kodit Penal.
10 milionë euro pasuri nën sekuestro, nga pallati te 25 automjetet
Në kuadër të hetimit, Prokuroria ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e kompanisë, vlera e të cilave llogaritet në rreth 10 milionë euro. Bëhet fjalë për prona të paluajtshme, automjete dhe vetë aktivitetin tregtar, të cilat i janë kaluar në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Në listën e pasurive të sekuestruara përfshihen tetë prona të paluajtshme në pronësi të subjektit nën hetim:
- Tokë arë me sipërfaqe 560 m².
- Pallat me sipërfaqe 2 780 m², si dhe 914 m² ndërtim.
- Tokë arë me sipërfaqe 1 580 m².
- Tokë arë me sipërfaqe 310 m².
- Njësi me sipërfaqe 71.5 m².
- Tokë arë me sipërfaqe 63 m², në bashkëpronësi të shoqërisë “Euro Beton 2005”.
- Njësi me sipërfaqe 61.6 m², me të dhënat e regjistrimit vol. 30, fq. 52, ZK 8160.
- Njësi me sipërfaqe 138.84 m², me të dhënat e regjistrimit vol. 19, fq. 235, ZK 8180.
Përveç pronave, janë sekuestruar edhe 25 automjete të përdorura për aktivitetin e kompanisë, përfshirë betoniera, pompa betoni dhe mjete transporti të specializuara.
Tashmë, administratori italian dhe shoqëria “Euro Beton 2005” do të përballen me procesin gjyqësor për tre veprat penale që u atribuohen nga Prokuroria, ndërsa pasuritë e sekuestruara do të mbeten nën administrimin e agjencisë përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



