E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK kërkon t’u marrë 16 pronat Nikolin dhe Klevent Gjolenës
Lajme

SPAK kërkon t’u marrë 16 pronat Nikolin dhe Klevent Gjolenës

Mbi 2 milionë euro pasuri në shënjestër

Transfertat nga parajsat fiskale zbulojnë skemën

SPAK ka përfunduar hetimin pasuror ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës, duke kërkuar kalimin në favor të shtetit të 16 pasurive të paluajtshme, të cilat dyshohet se janë krijuar me të ardhura me burim të pajustifikuar. Vlera aktuale e pronave, të shpërndara mes Tiranës dhe Durrësit, llogaritet në më shumë se 2 milionë euro.

Kërkesa është depozituar më 6 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe mbështetet në ligjin antimafia. Pasuritë rezultojnë të regjistruara drejtpërdrejt ose në mënyrë të tërthortë në emër të dy Gjolenëve, familjarëve të tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta.

Hetimi pasuror është zhvilluar në kuadër të procedimit nr. 5 të vitit 2025 dhe lidhet me procedimet penale për trafikimin e lëndëve narkotike, grupin e strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.

Lidhja me 485.5 kilogramët kokainë të kapur në Frakull

Në themel të çështjes qëndron edhe operacioni i 24 nëntorit 2022, kur në fshatin Frakull e Madhe të Fierit u sekuestruan 485.5 kilogramë kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila kishte mbërritur në Shqipëri nga Kolumbia.

Për këtë dosje, Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vite e 4 muaj burgim. Vendimi u dha më 26 qershor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 30 dhjetor të po atij viti.

Cilat janë 16 pronat që kërkohen të konfiskohen?

Inventari i pasurive të identifikuara nga hetimi përfshin pesë prona në Tiranë dhe 11 në Durrës. Konkretisht, në kryeqytet bëhet fjalë për tre apartamente dhe dy garazhe, ndërsa në zonën e Plazhit në Durrës janë evidentuar tri njësi tregtare dhe tetë apartamente.

Në Tiranë, pronat ndodhen në rrugën “Shinasi Dishnica” dhe në një zonë të regjistruar me ZK 8130. Apartamentet kanë sipërfaqe përkatësisht 75.7, 69.8 dhe 68.85 metra katrorë. Dy garazhet kanë nga 40.3 metra katrorë secili.

Ndërsa në lagjen 13 të Durrësit, në zonën e Plazhit, janë identifikuar tri njësi tregtare me sipërfaqe 165, 100 dhe 60 metra katrorë. Lista plotësohet nga tetë apartamente, sipërfaqja e të cilave varion nga 60.5 deri në 91.6 metra katrorë.

404 mijë euro dhe afro 43 mijë dollarë nga parajsat fiskale

Një prej elementeve më të rëndësishme të hetimit lidhet me mënyrën se si janë financuar disa prej këtyre pasurive. Gjatë analizimit të dokumentacionit financiar, SPAK ka evidentuar pesë transferta monetare në vlerën totale prej 404.733 eurosh dhe 42.942 dollarësh amerikanë.

Paratë janë transferuar në emër të familjarëve të personave nën hetim dhe kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të cilat konsiderohen juridiksione me statusin e parajsave fiskale.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe ekspertimit kontabël, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të mbështetura në indicie, se Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe personat e lidhur me ta nuk kanë arritur të provojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave të përdorura për krijimin e pasurive.

Sipas përllogaritjeve të SPAK, në momentin e nënshkrimit të kontratave, vlera e pronave ishte rreth 1 milion euro. Ndërsa me çmimet aktuale të tregut, e njëjta pasuri vlerësohet në mbi 2 milionë euro.

Tashmë do të jetë Gjykata e Posaçme ajo që do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për konfiskimin e 16 pronave. Deri në një vendim përfundimtar, kërkesa e SPAK mbetet objekt shqyrtimi gjyqësor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.