E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vdekja e 61-vjeçarit në Bulqizë, bashkëshortja dhe djali mohojnë krimin në gjykatë
Lajme

Vdekja e 61-vjeçarit në Bulqizë, bashkëshortja dhe djali mohojnë krimin në gjykatë

Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj bashkëshortes dhe djalit të Urim Fikut vijon në Gjykatën e Dibrës, ku dy familjarët e 61-vjeçarit të gjetur të pajetë në një zonë pyjore në Bulqizë kanë mohuar çdo përfshirje në vrasjen e tij.

Sadete Fiku, 57 vjeçe, dhe djali i saj, Gazmir Fiku, 33 vjeç, janë paraqitur para gjykatës pas arrestimit nga policia, nën dyshimet se kanë lidhje me vrasjen e Urim Fikut. Ngjarja e rëndë u regjistrua më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës.

Sipas informacioneve të bëra publike nga seanca, të dy të dyshuarit nuk kanë pranuar akuzat dhe kanë deklaruar para gjykatës se nuk kanë lidhje me ngjarjen.

“Nuk e vramë ne, nuk kemi lidhje me ngjarjen”, mësohet të kenë deklaruar Sadete dhe Gazmir Fiku, duke mohuar autorësinë e krimit.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës për masën e sigurisë ka zgjatur prej rreth dy orësh, ndërsa deri në momentin e raportimit nuk ishte bërë i ditur vendimi i gjykatës.

Dyshimet nisën pas pretendimit për sulm nga ariu

Vdekja e Urim Fikut fillimisht u raportua si pasojë e një sulmi të mundshëm nga një ari në zonën pyjore. Ky version, megjithatë, u vu në pikëpyetje pas ekzaminimit mjeko-ligjor të trupit të 61-vjeçarit.

Ekspertiza e kryer në Tiranë evidentoi një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në pjesën e gjoksit, duke ndryshuar drejtimin e hetimeve. Krahas kësaj, në trupin e viktimës u konstatuan edhe dëmtime në kokë, të cilat shtuan dyshimet për rrethanat e vërteta të vdekjes.

Një tjetër element që është bërë pjesë e raportimeve për ngjarjen lidhet me momentin kur familjarët e dërguan Urim Fikun në spitalin e Bulqizës. 61-vjeçari mbërriti pa shenja jete, ndërsa familjarët nuk pranuan që trupi të përgatitej nga personeli spitalor, duke deklaruar se, sipas traditës së tyre, këtë proces do ta kryenin vetë.

Arrestimi i bashkëshortes dhe djalit të viktimës erdhi një ditë pas ngjarjes, ndërsa hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes, motivin e mundshëm dhe rolin që mund të ketë pasur secili prej të dyshuarve.

Deri në një vendim përfundimtar të organeve të drejtësisë, Sadete dhe Gazmir Fiku prezumohen të pafajshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.