E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Veliaj sfidon Ramën nga burgu i Fierit: Edhe në Hënë po të më internoni, nuk tërhiqem!
Lajme

Veliaj sfidon Ramën nga burgu i Fierit: Edhe në Hënë po të më internoni, nuk tërhiqem!

”Miratova 15 kopshte e çerdhe të reja për Tiranën“

Përplasja mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama vijon të prodhojë zhvillime të reja, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgimin e Fierit, ka publikuar një tjetër reagim të fortë. Këtë herë, ai e ka lidhur mesazhin e tij me miratimin e 15 projekteve për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja në kryeqytet.

Veliaj pretendon se, pavarësisht transferimit nga Durrësi në Fier dhe asaj që e cilëson si persekutim politik, ka vijuar të ushtrojë përgjegjësitë e tij dhe të merret me projektet për qytetin. Sipas tij, me 15 projektet e reja, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të tij shkon në 130.

Mesazhi vjen në një moment kur marrëdhënia mes tij dhe Ramës është përshkallëzuar publikisht, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, është gjendur në qendër të debatit pas takimit me Veliajn në burgun e Fierit.

Nga transferimi në Fier te takimi me Gogun dhe pretendimet për ultimatum

Veliaj u transferua më 28 tetor nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit. Lëvizjen ai e ka cilësuar si një “rrëmbim”, duke pretenduar se nuk ishte informuar paraprakisht se ku do të dërgohej. Në seancën e GJKKO-së, gjykata u vu në dijeni se nuk kishte marrë njoftim për transferimin, ndërsa mbrojtja deklaroi se po shqyrtonte mundësinë e një kallëzimi penal lidhur me procedurën.

Përplasja mori një dimension të ri pas takimit të zhvilluar më 30 tetor mes Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në institucionin e vuajtjes së dënimit në Fier. Avokati Plarent Ndreca pretendoi se ministri kishte shkuar në orët e vona të mbrëmjes dhe i kishte përcjellë klientit të tij mesazhe në emër të kryeministrit Edi Rama.

Sipas versionit të Veliajt, mesazhet përfshinin tri kërkesa: dorëzimin e mandatit të kryebashkiakut, delegimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës te emrat e propozuar nga Rama dhe ndërprerjen e marrëdhënies me avokatin Plarent Ndreca. Në këmbim, sipas pretendimeve të tij, i ishte lënë të kuptonte se në të kundërt mund të përballej me masa më të rënda dhe akuza të tjera.

Gogu e konfirmoi takimin, por mohoi kategorikisht se kishte përcjellë kërcënime apo mesazhe të tilla. Ministri deklaroi se kishte shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe për të dëgjuar ankesat e ngritura nga avokati i tij. Ai pranoi gjithashtu se me kryebashkiakun e lidh një miqësi e hershme dhe tha se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara e të verifikueshme.

Më 4 nëntor, Veliaj publikoi një tjetër reagim, ku iu përgjigj tri kërkesave që pretendon se i ishin përcjellë përmes Gogut. Ai deklaroi se nuk do të dorëzonte mandatin, nuk do të pranonte të delegonte sërish kompetencat dhe nuk do të hiqte dorë nga avokati i tij. Po atë ditë, u raportua se ai ishte zhvendosur nga sektori i paraburgimit në ambientet spitalore të burgut të Fierit. Sipas avokatit Ndreca, kjo lëvizje lidhej me një frakturë në këmbë.

Veliaj: Nuk më ndalojnë as transferimet, as presioni

Në reagimin e fundit, kryebashkiaku e lidh situatën e tij personale me vijimin e punës për projektet e Bashkisë së Tiranës. Ai pretendon se është larguar nga detyra me procedura që i cilëson antikushtetuese, se menaxhimi i kryeqytetit është dëmtuar dhe se transferimi në Fier është pjesë e një persekutimi politik.

Në qendër të mesazhit vendos 15 projektet e reja për çerdhe dhe kopshte, të shpërndara në disa njësi administrative të Tiranës, nga Don Bosko, Fresku dhe Kodra e Diellit, deri te Petrela, Dajti, Astiri dhe Yzberishti.

Sipas listës së publikuar prej tij, projektet parashikojnë kapacitete për qindra fëmijë, ndërsa disa prej tyre përfshijnë edhe zona periferike të kryeqytetit. Veliaj e përdor këtë njoftim për të përsëritur se nuk do të heqë dorë nga prioritetet që, sipas tij, ka vendosur gjatë drejtimit të Bashkisë.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt:

“Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!

Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!

Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!

Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:

Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë
Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë
Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë
Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë
Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë
Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë
Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë
Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë
Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë
Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.