Elton Tozaj zbardh detajet e dhunimit brutal: Më goditën me levë pas koke
Gazetari Elton Tozaj është bërë sërish objekt i një sulmi fizik, në rrethana që ngrenë shqetësime për sigurinë e tij dhe për kërcënimet ndaj punës investigative. Ngjarja e fundit vjen më pak se një vit pas dhunës së rëndë që ai pësoi në aksin rrugor Tiranë-Durrës, ku u gjet pa ndjenja në anë të rrugës.
Këtë herë, sipas dëshmisë së vetë gazetarit, disa persona kanë zbritur nga një furgon, e kanë goditur me levë në pjesën e pasme të kokës dhe më pas kanë tentuar ta tërheqin me forcë drejt automjetit.
Nga ambientet e spitalit, ku po merr trajtim mjekësor, Tozaj ka treguar se gjithçka ka ndodhur papritur. Ai pretendon se agresorët e kanë sulmuar nga pas, duke mos i dhënë mundësi të dallojë fytyrat e tyre. Përveç dëmtimeve në kokë, gazetari ka pësuar edhe goditje në fytyrë, hematoma dhe probleme në të njëjtin sy që ishte dëmtuar edhe gjatë sulmit të mëparshëm.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:05, në një moment kur Tozaj po përgatitej të publikonte një material ekskluziv. Situata ka ndryshuar pasi disa gra që ndodheshin pranë kanë nisur të bërtasin, duke tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës. Sipas rrëfimit të tij, ndërhyrja e tyre ka detyruar autorët të largohen me shpejtësi, ndërsa banorët kanë njoftuar Policinë, e cila e ka transportuar në spital.
“Kanë zbritur disa persona nga një furgon. Më kanë goditur me levë pas koke dhe më pas kanë vazhduar të më godasin. Kanë tentuar të më tërheqin për në furgon. Kanë qenë disa gra që kanë ulëritur me të madhe dhe kanë ardhur edhe banorë. Me sa duket janë trembur, sepse kanë qenë pa maska, dhe janë larguar me vrap”, ka rrëfyer gazetari.
Kërcënimet gjatë sulmit: “Do të të vrasim”
Tozaj dyshon se dhuna lidhet me materialet investigative dhe denoncimet e publikuara prej tij, të cilat, sipas pretendimeve të gazetarit, kanë prekur persona nga politika, biznesi dhe bota e artit.
Ai ka deklaruar se gjatë sulmit autorët e kanë kërcënuar drejtpërdrejt, duke i bërë të qartë se synimi i tyre ishte t’i mbyllnin gojën.
“Më është thënë vetëm që nuk ke për ta pasur mundësinë për të folur më. Pastaj më kanë sharë dhe më kanë thënë: do të vrasim, do të vdesësh”, ka deklaruar Tozaj.
Një tjetër element që ai ka lidhur me ngjarjen është publikimi i një emisioni investigativ, i planifikuar pikërisht për ditën e sulmit. Sipas gazetarit, në këtë material do të transmetohej edhe dëshmia e një personi të penduar, i cili pritej të tregonte detaje mbi një ngjarje të mëparshme.
Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe sulmit të pësuar, transmetimi është shtyrë për datën 10 nëntor.
Denoncimet ndaj politikanëve dhe biznesmenëve, gazetari: Nuk mund të drejtoj gishtin vetëm te një person
I pyetur për personat që mund të kenë arsye për ta kërcënuar, Tozaj ka përmendur denoncimet e bëra ndaj gjashtë kryetarëve bashkish, një ish-kandidati për deputet të Vetëvendosjes, si dhe disa individëve me ndikim në biznes dhe art.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ka prova që t’i atribuojë sulmin një personi të caktuar dhe se dyshimet e tij shtrihen te disa individë.
“Unë mendoj se janë disa. Nuk mund ta vë gishtin vetëm tek një. Armiqtë e mi janë të paktë në radhët e shqiptarëve, por të shumtë në radhët e atyre që kanë pushtet”, është shprehur gazetari.
Sulmi i parë ende pa autorë të dënuar
Gjatë rrëfimit të tij, Tozaj është kthyer edhe te dhuna e rëndë që pësoi vitin e kaluar. Ai pretendon se për atë ngjarje nuk ka marrë ende një përgjigje nga organet e drejtësisë dhe se personat përgjegjës nuk janë dënuar.
Sipas tij, sulmi i mëparshëm kishte përmasa edhe më të rënda, pasi kishte pasur përpjekje për eliminimin e tij fizik dhe shkatërrimin e banesës.
Gazetari ka shprehur frikën se edhe episodi i fundit mund të ketë qenë një tjetër tentativë për ta eliminuar, duke e lidhur këtë dyshim me kërcënimet dhe mënyrën e organizimit të sulmit.
Aktualisht, Elton Tozaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe në ruajtjen e Policisë. Identifikimi i personave të përfshirë, zbardhja e motivit dhe verifikimi i pretendimeve të gazetarit mbeten në dorën e hetuesve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



