E premte, 6 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Adriatik Llalla thyen heshtjen, sulmon Donald Lu dhe nxjerr prapaskenat e “non grata-“
Lajme

Adriatik Llalla thyen heshtjen, sulmon Donald Lu dhe nxjerr prapaskenat e “non grata-“

Ish-kryeprokurori godet procesin e Vettingut dhe Reformën në Drejtësi

Pas një periudhe të gjatë larg vëmendjes publike, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka vendosur të flasë për herë të parë gjerësisht mbi çështjen e tij penale, largimin nga Shqipëria dhe përplasjet që shoqëruan fundin e karrierës së tij në institucionet e drejtësisë.

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Anisa Bahiti, në emisionin “On the Road”, Llalla ka komentuar vendimin e autoriteteve italiane për të mos e ekstraduar, dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare, shpalljen “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe marrëdhënien e tensionuar me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.

Ish-kryeprokurori ka folur gjithashtu për Reformën në Drejtësi, mënyrën se si funksionon sot prokuroria dhe disa prej çështjeve më të bujshme që kanë shoqëruar periudhën kur ai drejtonte institucionin, përfshirë edhe hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Mosekstradimi nga Italia, Llalla: Sikur mua dhe babait na ndoqi i njëjti fat

Duke komentuar vendimin e Gjykatës së Romës për të mos e ekstraduar drejt Shqipërisë, Llalla ka pretenduar se autoritetet italiane kanë marrë parasysh jo vetëm rrethanat e dënimit të tij, por edhe gjendjen shëndetësore.

Ai ka bërë një paralelizëm me historinë e të atit, i cili gjatë regjimit komunist ishte dënuar si agjent i CIA-s amerikane.

“Autoritetet italiane, gjykatat italiane më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri. Duke parë që vendimi ishte jobindës, pra duke dhënë një dënim të rëndë për një vepër të tillë penale, autoritetet, duke vlerësuar edhe gjendjen time relativisht të rëndë shëndetësore, vendosën mosekstradimin tim në Shqipëri. Sa i përket babait, sikur na ka ndjekur i njëjti fat”, u shpreh Llalla.

Ish-vartësit e hetuan dhe e dënuan, Llalla pretendon se u trajtua me standard të dyfishtë

Një prej temave ku ish-kryeprokurori është ndalur gjatë është mënyra se si u hetua dhe u gjykua nga institucionet e drejtësisë, të cilat në të kaluarën kishin qenë pjesë e sistemit që ai drejtonte.

Llalla pretendon se procesi ndaj tij nuk ka qenë i paanshëm dhe se për të është përdorur një standard më i ashpër krahasuar me zyrtarë të tjerë të hetuar për çështje të ngjashme.

“Nëse do të bëhej një hetim dhe gjykim i paanshëm, rasti im nuk do të kishte përfunduar në të tilla rrethana”, deklaroi ai.

Sipas ish-kryeprokurorit, fakti që në raste të tjera janë aplikuar gjoba, dënime me kusht apo masa alternative, ndërsa ndaj tij është dhënë burgim, përforcon bindjen e tij se çështja është trajtuar në mënyrë të veçantë.

“Në asnjë rast tjetër të zyrtarëve të lartë apo të çdo zyrtari të hetuar apo ndëshkuar për një çështje të tillë nuk është dhënë dënim me burgim. Gjithmonë janë dhënë dënime të tjera alternative, si gjobë, dënime me kusht apo dënime të tjera alternative më të buta. Kjo më krijon bindjen edhe më të madhe se rasti im është një rast i veçantë, i trajtuar në mënyrë paragjykuese”, tha Llalla.

Ironia e ish-kryeprokurorit: Kërkova vetë burg për mosdeklarimin e pasurisë dhe përfundova i dënuar nga ky ligj

Një nga momentet më pikante të intervistës ishte rikthimi te ndryshimi ligjor që ashpërsoi masat për mosdeklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë. Llalla pranoi se iniciativa për këtë ndryshim kishte ardhur pikërisht prej tij, në kohën kur drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Ai shpjegoi se kishte kërkuar që masa ndëshkuese të mos kufizohej vetëm te gjoba, por të përfshinte edhe dënimin me burgim deri në tre vjet.

“Është e vërtetë, iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit për mosdeklarimin e pasurive është kërkuar prej meje. Në fakt, kërkova ashpërsimin e masës nga gjobë deri në tre vjet burgim. Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive. Ashpërsimi i dënimit i detyroi të ishin më të përgjegjshëm përpara institucionit të deklarimeve dhe kontrollit të pasurive”, tregoi ai.

Por fati i tij do të ishte ironik, pasi më vonë përfundoi vetë i dënuar për veprën penale që kishte kërkuar të ndëshkohej më ashpër.

“Realisht, unë isha vetë iniciatori, vetë unë që u ndëshkova. E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia”, u shpreh Llalla.

Sulmet ndaj Reformës në Drejtësi: Mendimi ndryshe në Shqipëri shihet si kundërshtim

Ish-Prokurori i Përgjithshëm ka shprehur rezerva të forta për mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon sistemi i ri i drejtësisë. Ai sqaroi se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që hartuan reformën, por ka marrë pjesë në tryeza diskutimi ku ka paraqitur qëndrimet e tij.

Sipas Llallës, kritikat dhe mendimet alternative nuk janë vlerësuar, ndërsa personat që kanë shprehur rezerva janë parë si kundërshtarë.

“Mendimi ndryshe, realisht, në Shqipëri nuk vlerësohet, por shihesh si kundërshtar i të gjithëve. Të gjithë duhet të kthehen dhe të bëhen pjesë e diskutimit se si mund të përmirësohet dhe jo të dëmtohet puna e institucionit”, deklaroi ai.

Kritikat e tij janë përqendruar veçanërisht te organizimi i prokurorisë dhe decentralizimi i saj, për të cilin pretendon se nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.

“Mënyra se si sot është organizuar dhe funksionon sistemi i drejtësisë, sidomos prokuroria e zakonshme, tregon se kjo mënyrë organizimi dhe decentralizimi i institucionit nuk ka sjellë përmirësim, por ka sjellë mosfunksionim normal të punës së institucionit”, tha Llalla.

Saimir Tahiri nuk ishte viktimë e përndjekjes politike, sipas Llallës

Gjatë intervistës, ish-kryeprokurori është pyetur edhe për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u përball me një proces të gjatë penal.

Llalla nuk e konsideron atë një rast të përndjekjes politike, por një procedim normal të ndjekur nga institucionet e drejtësisë.

“Jo, rasti i Tahirit ishte një rast normal që u ndoq nga prokuroria dhe gjykatat përkatëse. Nuk mendoj se ishte rast përndjekjeje”, u shpreh ai.

Ai mohoi gjithashtu të ketë qenë nën presionin e mazhorancës apo opozitës gjatë kohës që drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas tij, emërimi në krye të institucioneve ishte mbështetur nga të dyja palët parlamentare.

“Në punën time nuk kam pasur asnjëherë një sulm politik nga mazhoranca apo opozita. Përkundrazi, në të dyja rastet jam miratuar me pëlqimin e të dyja palëve parlamentare. Nuk kam pasur votë kundër. Nuk kam ndjerë gjatë ushtrimit të funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm presion nga njëra palë apo tjetra”, deklaroi Llalla.

Shpallja “non grata” nga SHBA, Llalla dyshon te përplasjet me Donald Lu

Një tjetër kapitull i intervistës ishte vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Llallën person të padëshiruar. Ish-kryeprokurori ka vënë në pikëpyetje arsyet që çuan në këtë vendim, duke mos përjashtuar ndikimin e përplasjeve të tij me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Llalla ka ngritur pikëpyetje për faktin se si Shqipëria u bë vendi ku u shpall “non grata” një zyrtar i këtij niveli, ndërsa ka krahasuar rastin e tij me problematika të tjera ndërkombëtare.

“Ajo që dua të theksoj është fakti: A mund të përbënte Shqipëria rastin e parë në botë të shpalljes non grata të një zyrtari? Shqipëria si shtet, ndërkohë që bota ka probleme më të mëdha, zyrtarë të korruptuar, të dënuar, dhe a mund të isha unë rasti i parë në botë?”, u shpreh ai.

Sipas Llallës, hetimet ndaj tij nisën pas përfundimit të mandatit dhe fillimisht përfshinë disa vepra të dyshuara penale, mes tyre edhe korrupsionin, por në fund çështja u përqendrua te mosdeklarimi i pasurisë.

Ai la të kuptohet se përplasjet me Donald Lu, veçanërisht për çështjen e Reformës në Drejtësi, mund të kenë ndikuar në zhvillimet që pasuan.

“Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar. Ndaj meje, me përfundimin e mandatit, filluan hetimet për një sërë çështjesh penale, përfshirë korrupsionin, por përfundoi në mosdeklarim pasurie”, tha ish-kryeprokurori.

Ai tregoi se i është drejtuar edhe Departamentit Amerikan të Shtetit për të kërkuar sqarime lidhur me vendimin, por përgjigjja e marrë nuk e ka bindur.

“I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka. Por realisht deri në atë periudhë nuk ka pasur asnjë shkrim në gazetë apo media që të etiketohem për korrupsion”, deklaroi Llalla.

I pyetur se çfarë do t’i thoshte sot ish-ambasadorit Donald Lu nëse do ta kishte përballë, ai u përgjigj se nuk dëshiron të rikthehet në atë debat.

“Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit”, u shpreh ai.

Llalla për ish-krerët e UÇK-së: Vendim totalisht i padrejtë

Në përfundim të intervistës, ish-kryeprokurori ka komentuar edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj vendimeve të marra në këtë çështje.

“Është një vendim totalisht i padrejtë që merret përsëri ndaj shqiptarëve, popull gjithmonë i persekutuar nga Perëndimi. U gjet sërish dikush që shqiptarët të ishin të ndëshkuar”, deklaroi Adriatik Llalla.

Intervista shënon rikthimin e tij në komunikimin publik pas një periudhe të gjatë heshtjeje, ndërsa rrëfimi përmban pretendime dhe akuza të ish-kryeprokurorit mbi mënyrën se si u trajtua çështja e tij, marrëdhëniet me diplomacinë amerikane dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.