Të shtëna me armë në Vlorë, policia qëllon për të ndaluar një person që po arratisej
Një konflikt mes disa personave në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë ka përshkallëzuar në përplasje fizike, duke detyruar policinë të ndërhyjë me armë zjarri për të vënë situatën nën kontroll.
Ngjarja është shoqëruar me të shtëna në ajër, pasi një prej personave të përfshirë tentoi t’u shmangej efektivëve dhe të largohej me vrap nga vendi i konfliktit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se njëri prej personave që u përfshi në sherr mbante me vete një thikë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët ndërhynë për të ndarë personat dhe për të neutralizuar situatën.
Gjatë ndërhyrjes, një prej tyre tentoi të largohej me vrap. Për ta ndaluar, policia qëlloi me armë zjarri në ajër, por personi vijoi të vraponte. Ai u kap vetëm disa metra më tutje nga vendi ku kishte ndodhur përplasja.
Të gjithë personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar në komisariat, ku pritet të japin shpjegimet e tyre për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Nga përplasja nuk raportohet për persona të lënduar. Ndërkohë, autoritetet vijojnë verifikimet për të zbardhur shkakun e konfliktit dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



