E shtunë, 7 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Studentët duan largimin e tij dhe të Ramës, Berisha bën sikur nuk dëgjon: Mbështesim protestat e tyre
Lajme

Studentët duan largimin e tij dhe të Ramës, Berisha bën sikur nuk dëgjon: Mbështesim protestat e tyre

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar mbrëmjen e kësaj të shtune për protestën e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, duke shpallur mbështetjen e plotë të opozitës për studentët dhe duke kërkuar bashkimin e të gjithë faktorëve kundër qeverisë së Edi Ramës.

Në një konferencë për mediat, Berisha akuzoi Policinë e Shtetit se ka provokuar protestuesit dhe studentët, duke pretenduar se veprimet e saj janë pjesë e një skenari kriminal kundër revoltës studentore.

Ai u bëri thirrje qytetarëve, mbështetësve të opozitës dhe faktorëve të tjerë politikë që të lënë mënjanë kundërshtitë mes tyre dhe të rreshtohen në mbështetje të studentëve.

Berisha: Të bashkohemi pavarësisht dallimeve, beteja është kundër Ramës

Gjatë deklaratës së tij, kreu i PD-së e cilësoi protestën studentore si një betejë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kërkoi që ajo të shndërrohet në një lëvizje më të gjerë qytetare e opozitare.

“Kam një ftesë për të gjithë: të bashkohemi në mbështetje të studentëve, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi me njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi”, deklaroi Berisha.

Ai garantoi se Partia Demokratike do të mbështesë plotësisht revoltën e të rinjve dhe tha se kjo mbështetje do të shoqërohet me respektimin e të gjithë atyre që janë pjesë e lëvizjes.

“Ju garantoj se Partia Demokratike është vendosur t’i mbështesë totalisht studentët, revoltën e tyre dhe të respektojë të gjithë ata që janë në këtë linjë. Ftoj çdo qytetar të angazhohet në këtë betejë”, u shpreh ai.

Synimi, bashkimi i opozitës dhe një qeveri për zgjedhje të lira

Në vijim, Berisha kërkoi që bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë të bëhet pjesë e asaj që e cilësoi si një lëvizje të gjerë kundër qeverisë aktuale.

Sipas tij, kjo lëvizje duhet të çojë drejt krijimit të një qeverie që do të përgatisë kuadrin ligjor për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të madhe e të paparë që po zhvillohet në Shqipëri, për t’u ndarë nga ky regjim dhe për t’u përgatitur për një qeveri që do të përgatisë kuadrin ligjor për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, përfundoi Berisha.

Deklarata e kreut të PD-së vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së studentëve, ku pati kundërshtime ndaj përpjekjeve të përfaqësuesve dhe mbështetësve demokratë për t’iu bashkuar tubimit. Studentët kanë shprehur më herët qëndrimin kundër përfshirjes partiake në protestën e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.